BALLKANI

Shënohet 77-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë

Ceremonia qendrore zyrtare për Ditën e Çlirimit është organizuar në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit

Fatjon Cuka   | 29.11.2021
Shënohet 77-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë

Tiranë

Në Shqipëri sot shënohet 77-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndërkohë në të gjithë vendin organizohen aktivitete të ndryshme nga institucionet qendrore dhe vendore, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia qendrore zyrtare për Ditën e Çlirimit është organizuar në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentares Lindita Nikolla, kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, zyrtarëve të tjerë, si dhe të përfaqësuesve të shoqatave të veteranëve.

Pjesë e ceremonisë zyrtare ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Zyrtarët e lartë të vendit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Monumentit "Nënë Shqipëri", duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të vendit.

Me rastin e Ditës së Çlirimit, zyrtarë dhe përfaqësues të partive politike kanë përcjellë mesazhet e tyre.

"Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjakut dhe sakrificave të bijve dhe bijave më patriotë për mbrojtjen e lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë", ka shkruar presidenti Meta në rrjetet sociale.

Ndërsa zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, ka publikuar masazhin e kryeparlamentares Nikolla. "Në luftën për çlirim shqiptarët u bashkuan rreth vlerave të antifashizmit dhe të lirisë, vlera të cilat qëndrojnë në themelet e Shqipërisë demokratike", thekson kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

Kryeministri Rama, duke publikuar në rrjetet sociale videon nga ceremonia e homazheve në Tiranë ka shkruar: "Lavdi dëshmorëve të atdheut”.

Ndërkohë, 29 Nëntori në Shqipëri shënohet si festë zyrtare dhe me rastin e përvjetorit të çlirimit të vendit institucionet në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit organizojnë aktivitete dhe ceremoni përkujtimore.

Kujtojmë se 77 vite më parë, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë pas një lufte pesëvjeçare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın