Shëndetësi, BALLKANI, Koronavirusi

Serbi, hidhen themelet e fabrikës ku do të prodhohet vaksina e Sinopharm kundër COVID-19

"Kapaciteti vjetor i prodhimit të fabrikës është 40 milionë vaksina, por ne planifikojmë të prodhojmë 30 milionë vaksina në vit", tha presidenti serb, Vuçiç

Sanela Crnovrsanin  | 09.09.2021 - Përdıtësım : 10.09.2021
Serbi, hidhen themelet e fabrikës ku do të prodhohet vaksina e Sinopharm kundër COVID-19

Beograd

Në komunën e Zemunit në afërsi të kryeqytetit të Serbisë, Beograd, u hodhën themelet e fabrikës ku do të prodhohet vaksina Sinopharm e zhvilluar në Kinë kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në një deklaratë në ceremoninë e hedhjes së themeleve deklaroi se fabrika është një përpjekje në interes jo vetëm të Serbisë, por në interesin e gjithë rajonit.

Vuçiç bëri të ditur se në fabrikën e ndërtuar së bashku me Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) do të kryhen punime edhe për vaksinat që do të prodhohen në të ardhmen. "Kapaciteti vjetor i prodhimit të fabrikës është 40 milionë vaksina, por ne planifikojmë të prodhojmë 30 milionë vaksina në vit. Kjo shifër do të jetë e mjaftueshme për Serbinë dhe për vendet e tjera të rajonit", tha ai.

Duke bërë të ditur se Serbia me mbështetjen e Kinës dhe EBA-së ka arritur të zgjidhë jo vetëm problemet e saj por edhe problemet rajonale, Vuçiç theksoi se me përfundimin e fazës së parë në fabrikë do të fillojë në mars 2022 mbushja e vaksinave dhe në prill 2022 vaksinat e prodhuara do të paraqiten në tregun serb.

Vuçiç tha se fillimisht në fabrikë do të punësohen 180 persona, 40 për qind e të cilëve janë ekspertë dhe se më pas do të punësohen edhe 100 persona të tjerë.

Serbia e cila është në pozicionin e liderit në vaksinimin masiv mes vendeve të Ballkanit, prodhon gjithashtu vaksinën e parë ruse kundër COVID-19, të emërtuar Sputnik V e cila është zhvilluar nga Instituti Kërkimor Gamaleya në Rusi.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.