BALLKANI

Sassoli: Presim që për disa muaj të ndryshohet vendimi për Maqedoninë e Veriut

Presidenti i ri i Parlementait Evropian, David Sassoli, në konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Zoran Zaev tha se "ne po ballafaqohemi me një ngadalësim, e jo me disfatë"

Abdula Berisha   | 04.11.2019
Sassoli: Presim që për disa muaj të ndryshohet vendimi për Maqedoninë e Veriut Foto: Husamedin Gina/AA

Shkup

Presidenti i ri i Parlementit Evropian (PE), David Sassoli, qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, vizita e tij e parë zyrtare jashtë Bashkimit Evropian (BE) pas marrjes së detyrës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sassoli është pritur në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nga një delegacion qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, pas çka kanë zhvilluar një takim dypalësh.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, kryeministri Zaev tha se Sassoli viziton vendin me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Ai shprehi mirënjohje për Sassolin, të cilin e vlerësoi si një mik të madh të Maqedonisë së Veriut, si dhe për votimin në PE të rezolutës me të cilën kërkohet fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Zaev tha se vendimi i BE-së për të mos filluar bisedimet ka kthyer në agjendë çështet e euroskepticizmit, dilemat nëse BE u mbetet besnike politikave të saja për zgjerim dhe se a ka alternativë për perspektivën evropiane.

"Nuk është e lehtë të vazhdohet pa presione të strukturuara dhe sistematike që do t'i sillnin bisedimet për anëtarësim. Por, ne themi 'nuk ka alternativë'. Patjetër të vazhdojmë, madje edhe më fuqishëm me reformat, me argumente se në vend mbizotëron drejtësia, se kemi argumente të fuqishme për përparimin në ekonomi. Këto reforma janë mëse të nevojshme për ne në shtëpi", tha Zaev.

Ndërkaq, Sassoli, nga ana e tij, tha se "ne po ballafaqohemi me një ngadalësim, e jo me disfatë", duke shtuar se të gjitha institucionet evropiane janë të bindura se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë bisedimet.

Sassoli tha se duhet të kuptojmë qëndrimet e disa vendeve anëtare, duke shtuar se disa prej tyre tashmë kanë filluar të rishikojnë pozicionet e tyre.

"Siç e dimë, ne kishim besim në fillimin e bisedimeve për anëtarësim në kuadër të Këshillit të fundit të BE-së, por tani presim që për disa muaj të ndryshohet vendimi. Kjo ndoshta do t'u mundësojë institucioneve të Maqedonisë së Veriut të fillojnë edhe me reformat tjera, të mos ndalojmë. Ne në horizontin tonë kemi të ardhme të përbashkët, horizont të përbashkët", tha Sassoli.

Sipas paralajmërimit, në kuadër të vizitës dyditore, Sassoli do të takohet edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, me kryetarët e partive politike, si dhe do të mbajë fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın