Sarajevë, studentët kërkojnë nga qeveria zgjidhje sistemike për problemet në konvikte
Përdoruesit e konvikteve protestuan pasi një rrjedhje gazi nga dhoma e bojlerit në konviktin studentor "Bjelave" la të gjithë ndërtesën pa ngrohje
Sarajevë
Studentët e vendosur në konviktet studentore "Bjelave" dhe "Nexhariqi" mbajtën sot protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kantonit të Sarajevës në Bosnjë e Hercegovinë, të pakënaqur me problemet e vjetra me kushtet e strehimit, kryesisht mungesën e ngrohjes dhe ujit të ngrohtë, raporton Anadolu.
Gjatë protestës u shfaqën pankarta të shumta, përfshirë: "Dhimbje koke nga gazi, jo aspirinë", "Investoni te të rinjtë ose marshoni nga qeveria", "Gaz në maksimum, përgjegjësi në minimum", "Është e lehtë të sundosh një vend të shkretë".
Studentët u mbështetën nga qytetarë të shumtë që iu bashkuan atyre përpara ndërtesës së Qeverisë Kantonale ndërsa studentët e mbledhur brohoritën ndaj përfaqësuesve të qeverisë: "Dilni jashtë, dilni jashtë", duke kërkuar reagim nga autoritetet.
Situata kulmoi javën e kaluar kur një rrjedhje gazi nga dhoma e vjetër e bojlerit në konviktin studentor "Bjelave" la të gjithë objektin pa ngrohje, gjë që shkaktoi reagim të fortë nga banorët.
Studentët i kanë bërë disa kërkesa Qeverisë së Kantonit të Sarajevës, duke kërkuar kryesisht zgjidhje sistemike të problemit, financim të qëndrueshëm të Qendrës Studentore të Sarajevës dhe përmbushjen e detyrimeve të saj, si dhe riparime urgjente të dhomave të kaldajave të rrënuara në të dy konviktet dhe zgjidhje afatgjate për ngrohjen.
Ata theksuan nevojën për të emëruar një bord menaxhues dhe mbikëqyrës dhe një drejtor të Qendrës Studentore, në mënyrë që të mundësohet menaxhimi funksional i institucionit.
Studentët theksuan veçanërisht gjendjen e keqe të infrastrukturës. Më tej studentët kërkuan ndryshime dhe zbatim të vazhdueshëm të Ligjit për standardet studentore, korrigjimin e kontratave për ofrimin e akomodimit dhe shërbimeve të ushqimit si dhe sigurimin e vendeve të financuara nga buxheti për të gjithë studentët e Universitetit të Sarajevës.
