Shëndetësi, BALLKANI

Realizohet me sukses transplanti i parë i zemrës në Maqedoninë e Veriut

Ekipi i kombinuar i kardiokirurgëve transplantoi një zemër të re në trupin e një pacienti 54-vjeçar, pas një operacioni që zgjati 6 orë

Abdula Berisha  | 23.05.2020 - Përdıtësım : 25.05.2020
Realizohet me sukses transplanti i parë i zemrës në Maqedoninë e Veriut

Shkup

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informoi se për herë të parë në vend është kryer transplanti i zemrës nga një dhurues i vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kumtesën e ministrisë thuhet se një ekip i kombinuar i kardiokirurgëve transplantoi një zemër të re në trupin e një pacienti 54-vjeçar, pas një operacioni që zgjati 6 orë dhe që përfundoi në orët e hershme sot në Klinikën e Kirurgjisë Kardiake në Shkup.

Nga ministria më herët njoftuan se familja e një paciente që kishte ndërruar jetë, u pajtuan që të dhurojnë zemrën dhe dy veshkat, ndërsa pacientët që pranuan organet ishin zgjedhur nga Listat Kombëtare e Pritjes sipas kritereve të përcaktuara mjekësore për përputhshmërinë e organeve të cilat i udhëheq Ministria e Shëndetësisë.

Transplantin e parë të zemrës, në koordinim me ministrin e Shëndetësisë doc. dr. Venko Filipçe, e filloi dhe e udhëhoqi koordinatorja kombëtare për transplantim, dr. Maja Mojsova-Mijovska.

“Transplantimi është i suksesshëm. Kjo është ditë e madhe për ne. E veçantë në shumë gjëra. Do të doja fillimisht të falënderoj familjen e dhuruesit. Të vendoset që të dhurohen organet në momentin kur humbni të dashurin, është e vështirë. Nuk mund të paramendohet sa e vështirë. Nevojitet shumë forcë, shumë dashuri dhe shumë humanitet, të mendoni për jetën e një të huaji në momente kur e dini se e keni humbur më të afërmin. Për këtë u jemi pafundësisht falënderues. Ata janë heronjtë e këtij tregimi", deklaroi Filipçe.

Ai gjithashtu vizitoi pacientin tek i cili ishte transplantuar zemra. Duke theksuar se ky është një sukses i madh për sistemin shëndetësor në vend, ministri Filipçe falënderoi ekipin e mjekëve të sektorit publik dhe privat si dhe stafin tjetër mjekësor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.