BALLKANI

Reagime në Kosovë, pasi ambasadori i vendit shpërndau karikaturën e profetit Muhamed në rrjetet sociale

"Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur", ka shkruar Bashkësia Islame e Kosovës

Agim Sulaj  | 20.10.2020 - Përdıtësım : 21.10.2020
Reagime në Kosovë, pasi ambasadori i vendit shpërndau karikaturën e profetit Muhamed në rrjetet sociale

Prishtinë

Deputetë të Kuvendit, politikanë, udhëheqës të institucioneve fetare e qytetarë të shumtë kanë reaguar ndaj shpërndarjes së karikaturës së profetit Muhamed nga ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi në rrjetet sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e ka konsideruar "të papranueshëm dhe të dënueshëm" veprimin e ambasadorit kosovar në Francë, duke thënë se një gjë e tillë "vetëm sa rrit mos-durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër-njerëzor". 

BIK në një komunikatë për media ka theksuar se populli shqiptar njeh për vlerë kultivimin dhe tolerancën, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën e harmoninë ndër-fetare, ndërsa një shembull të tillë do të duhej ta ndiqte edhe ambasadori Qëndrim Gashi, "e jo ta bëjë të kundërtën dhe me veprimet e tij t’i kontribuoj mos-durimit e urrejtjes me bazë fetare". 

"Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare", shkruan në komunikatën e BIK, ku në fund theksohet se po kështu "dënojmë aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona mos të përdorën për urrejtje e mos durim".

Publikimi i karikaturës së profetit Muhamed përbën vepër penale

Ndaj shpërndarjes së karikaturës nga ana e ambasadorit Gashi, ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezaj, e cila tha se "është i papranueshëm akti i përqeshjes së figurës së profetit tonë Muhamed (paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të)".

"Ky veprim përbën skandal, dhe Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) duhet të marrë masa për tërheqjen e Gashit nga detyra. Dikur i akuzuar për sponsorizimin e projekteve në shërbim të copëtimit territorial të vendit tonë, i lartpërmenduri vazhdon veprime të turpshme në shpërputhje të plotë me vlerat dhe përcaktimin që ka kultivuar populli ynë ndër shekuj", ka shkruar Demi-Murtezaj.

Deputetja shtoi se duhet veprim konkret në funksion të ndëshkimit dhe parandalimit të ndonjë akti tjetër të mundshëm të këtij lloji.

Ndërkaq, ish-deputeti Gëzim Kelmendi ka thënë se ambasadori Qëndrim Gashi ka bërë vepër të ultë dhe të pamoralshme, duke ditur se "ai paguhet nga populli i Kosovës". 

"Ambasadori i Kosovën në Francë Qëndrim Gashi duhet ta dijë mirë se ai paguhet nga populli i Kosovës, dhe kjo vepër e tij është shumë e ulët dhe e pamoralshme", shkruan ndër të tjera Kelmendi.

Opinionisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë se publikimi i karikaturës së profetit Muhamed, përbën vepër penale "që sipas Kodit Penal të Kosovës, dënohet me 1 deri në 8 vite burgim".

"Por shtrohet pyetja: A ka Kosova ndonjë prokuror? Ky veprim vënë në telashe edhe Qeverinë Franceze, sepse është vepër penale edhe sipas ligjeve të Francës", ka shkruar Spahiu.

Ripostimi i karikaturës së profetit Muhamed nga ambasadori i Francës erdhi disa ditë pas vrasjes së mësuesit francez Sameul Paty, pasi u kishte treguar nxënësve karikaturat e profetit Muhamed në klasë.

Mësuesit i është prerë koka më 16 tetor, jashtë shkollës së tij në periferi të Parisit verior, nga një 18-vjeçar, i cili më pas është qëlluar për vdekje nga policia. Në fillim të këtij muaji, Paty u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed, në një orë për lirinë e shprehjes, duke zemëruar një numër të prindërve myslimanë.

Dispozitat e fesë Islame ndalojnë çdo përshkrim të figurës së profetit Muhamed, duke e konsideruar blasfemi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.