BALLKANI

Ratifikohet marrëveshja Shqipëri-Kosovë për pikat e përbashkëta kufitare

Sipas marrëveshjes, shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë

Fatjon Cuka  | 18.04.2019 - Përdıtësım : 20.04.2019
Ratifikohet marrëveshja Shqipëri-Kosovë për pikat e përbashkëta kufitare ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar, raporton Anadolu Agency (AA).

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, është miratuar në seancën e sotme parlamentare me 89 vota pro.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, gjatë fjalës në seancë tha se aplikimi i marrëveshjes do të sjellë një sërë lehtësish në rritjen të mobilitetit, në lehtësinë e lëvizjes e të shkëmbimeve midis Shqipërisë e Kosovës, sipas tij, jo vetëm në aspektin e lëvizjes së qytetarëve, por dhe në aspektin e lëvizjes së mallrave.

"Marrëveshja në thelbin e saj parashikon që, nga dy kontrolle që zhvilloheshin në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, tashmë të zhvillohet një. Qeveria shqiptare parashikon që nën frymën e kësaj marrëveshjeje me Kosovën, të ecim nën të njëjtën frymë edhe sa i përket bashkëpunimit dhe lehtësimit të procedurave të menaxhimit të lëvizjeve në kufi edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, po ashtu edhe me Republikën e Malit të Zi, duke vendosur kështu standarde të reja, të një fryme evropiane dhe duke i prirë një procesi integrues në rajon", ka theksuar ministri Lleshaj.

Sipas Kuvendit të Shqipërisë, kjo marrëveshje është iniciuar në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të të dyja qeverive, me qëllim thjeshtëzimin dhe lehtësimin e procedurave dhe të masave të lidhura me kontrollet kufitare.

Në bazë të marrëveshjes që është nënshkruar në dhjetor të vitit 2018, shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë, bazuar në parimin “Një ndalesë, një kontroll”.

Marrëveshja parashikon që pikat aktuale jo të përbashkëta të kalimit kufitar të ndryshojnë statusin në pika të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërsa pikat e kalimit kufitar që mund të hapen në të ardhmen do të rregullohen sipas marrëveshjes.

Kujtojmë se në mbledhjet e përbashkëta mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës në vitet e fundit janë nënshkruar disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın