BALLKANI

Rama: Po ndodh një proces transformimi rrënjësor i marrëdhënieve të shtetit me qytetarët

Në konferencën e përjavshme për mediat, kryeministri Rama foli për vizitën në Bruksel, shërbimet online të administratës publike, vaksinimin kundër COVID-19 dhe çështje të tjera

Fatjon Cuka   | 02.03.2021
Rama: Po ndodh një proces transformimi rrënjësor i marrëdhënieve të shtetit me qytetarët

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përjavshme për mediat foli për vizitën e tij të fundit në Bruksel, shërbimet online të administratës publike, vaksinimin kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu referuar vizitës së tij në Bruksel më 1 mars, ku u takua me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian (BE), Rama theksoi se në Bruksel ka dëgjuar vlerësime pozitive për Shqipërinë.

"Plani i investimeve për Ballkanin Perëndimor është realisht një prej akteve më të rëndësishëm që ka miratuar Komisioni Evropian në historinë e gjithë këtij procesi dhe është një nga angazhimet më domethënëse të Bashkimit Evropian për rajonin tonë, por është edhe një sfidë shumë e madhe për ne", tha kryeministri i Shqipërisë.

"Shqipëria ka 95 për qind të shërbimeve online"

Duke folur për procesin transformimit të shërbimeve të administratës publike, Rama tha se sot Shqipëria ka faktikisht 95 për qind të shërbimeve online. "Për 95 për qind të shërbimeve që ofron shteti shqiptar, qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë në asnjë zyrë, nuk kanë nevojë të takojnë asnjë lloj personi. Ne disponojmë falë revolucionit digjital një sistem që garanton plotësisht transparencë", u shpreh Rama.

"Po ndodh një proces transformimi rrënjësor i marrëdhënieve të shtetit me qytetarët. Po hidhen bazat e një sistemi të sigurt antikorrupsion në shërbimet për qytetarët dhe po sigurohet perspektiva e afërt e kalimit të Shqipërisë në një nivel tjetër përsa i përket funksionimit të brendshëm të shtetit dhe të funksionimit të marrëdhënies transparente, efikase, të drejtpërdrejtë me qytetarët", theksoi Rama.

Sipas kryeministrit Rama, vetëm gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 në total u janë kursyer qytetarëve përmes shërbimeve online 4 milionë euro.

Ai theksoi se përmes transformimit të shërbimeve digjitale platforma E-Albania (platforma për shërbimet online të administratës publike) është kthyer në një histori suksesi.

"Është krijuar pasaporta digjitale e vaksinimit"

Kryeministri Rama foli edhe në lidhje me procesin e vaksinimit kundër COVID-19 i cili vazhdon aktualisht, duke theksuar ndër të tjera se kanë krijuar pasaportën digjitale të vaksinimit.

Shërbimi elektronik "Pasaportë vaksinimi COVID-19" do të mundësojë për qytetarët që kanë kryer dy dozat e vaksinimit të gjenerojnë online dokumentin që tregon se kanë kryer vaksnimin.

“Unë jam shumë besimplotë që ne do të kemi shumë shpejt mundësinë të marrim frymë krejt lirisht dhe të fillojmë një vaksinim intensiv me ambicien që sezonin veror ne ta kemi shumë më të lehtësuar nga pesha e zinxhirit të infektimeve", u shpreh Rama.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın