BALLKANI

Rama për projektin e Turqisë për banesat: Vëllezërit tanë kanë vendosur standard

Gjatë inspektimit të punimeve, duke iu drejtuar zyrtarëve pjesëmarrës në lidhje me projektin e Turqisë Rama tha se "Vëllezërit tanë kanë vendosur standard këtu. Duhet të mbajmë këtë standard me të gjitha godinat"

Fatjon Cuka   | 25.11.2020
Rama për projektin e Turqisë për banesat: Vëllezërit tanë kanë vendosur standard Foto: Kryeministria e Shqipërisë - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama (2L)

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar kantieret e rindërtimit në Bashkinë e Kurbinit, mes tyre edhe kantierin ku po zbatohet projekti i financuar nga Turqia për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, raporton Anadolu Agency(AA).

Projekti i shtetit turk për ndërtimin e 524 apartamenteve po zbatohet në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit dhe punimet vazhdojnë për ngritjen e kolonave të pallateve të reja.

Gjatë inspektimit të punimeve ishin të pranishëm edhe ministri i Rindërtimit i Qeverisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara dhe zyrtarë të tjerë, të cilët shikuan nga afër ecurinë e punimeve.

Gjatë inspektimit të punimeve, duke iu drejtuar zyrtarëve pjesëmarrës në lidhje me projektin e Turqisë Rama tha se "Vëllezërit tanë kanë vendosur standard këtu. Duhet të mbajmë këtë standard me të gjitha godinat".

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, informoi kryeministrin Rama për ecurinë e projekteve të rindërtimit.

Projekti i Turqisë që përfshin ndërtimin e apartamenteve zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Laç po realizohen nga kompania Albayrak.

Në Laç gjithashtu vazhdojnë të zbatohen edhe projekte të tjera si për ndërtimin e spitalit të ri, godinën e re të bashkisë dhe për mjediset sportive.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi 51 viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın