BALLKANI

"Rajoni është shndërruar në një prodhues të sigurisë"

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, gjatë fjalës në hapje të takimit kërkoi anëtarësimin e Kosovës në A5, që aktualisht ka statusin e vendit vëzhgues

Fatjon Cuka  | 13.12.2019 - Përdıtësım : 14.12.2019
"Rajoni është shndërruar në një prodhues të sigurisë" ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Në Tiranë është mbajtur takimi i Komisionit të Partneritetit të Nismës SHBA - Karta e Adriatikut (A5), ku morën pjesë përfaqësues politikë dhe diplomatikë të ministrive të jashtme nga vendet e Ballkanit, që janë shtete anëtare dhe vëzhguese të nismës, si dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, gjatë fjalës në hapje të takimit kërkoi anëtarësimin e Kosovës në A5, që aktualisht ka statusin e vendit vëzhgues, që sipas tij do të ishte kontribut për sigurinë.

- "Shqipëria mbetet e përkushtuar të vazhdojë rolin e saj konstruktiv në rajon”

Cakaj në deklaratën për mediat pas përfundimit të takimit, theksoi se që nga themelimi në vitin 2003 e deri më sot, kjo nismë ka luajtur një rol, sipas tij, shumë të vyer në shtimin e kapaciteteve teknike dhe profesionale, rritjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e frymës euroatlantike në rajon.

"Rajoni ynë është shndërruar gradualisht nga një konsumues i vazhdueshëm në një prodhues të qëndrueshëm të sigurisë dhe vlerave euroatlantike në përgjithësi. Qëllimi kryesor i kryesisë shqiptare ka qenë fuqizimi i kapaciteteve teknike dhe institucionale, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm", u shpreh Cakaj.

Ministri në detyrë Cakaj tha se qëndrimi i prerë dhe i mbështetur në argumente i Shqipërisë është se forcimi i kësaj nisme kërkon edhe zgjerimin e saj dhe theksoi se "Fatkeqësisht, përkundër qëndrimit të prerë të Shqipërisë dhe shumicës së vendeve pjesëmarrëse dhe meritave të jashtëzakonshme ushtarake, profesionale dhe institucionale, Republika e Kosovës vazhdon të përjashtohet nga kjo iniciativë me arsyetime tërësisht të pavlefshme. Shqipëria kërkon edhe një herë anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë nismë".

Ai u shpreh se gjatë takimit kanë nënvizuar rëndësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vitin që vjen, si dhe vazhdimin e bisedimeve me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE.

Cakaj në fund tha se "Shqipëria mbetet e përkushtuar të vazhdojë rolin e saj konstruktiv në rajon dhe po ashtu Shqipëria do të veprojë tërësisht në përputhje me parimet e marrëdhënieve të mira fqinjësore në periudhën që po vjen. Po ashtu politika e saj e jashtme do të vazhdojë të jetë në përputhje me frymën e proceseve të integrimit evropian, e bashkëpunimit transatlantik".

Kujtojmë se më 11 dhjetor në Tiranë u mbajt edhe Ministeriali i Mbrojtjes i vendeve të nismës SHBA - Karta e Adriatikut (A5), ku delegacionet pjesëmarrëse diskutuan për situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe çështje të tjera.

Shqipëria gjatë vitit 2019 kishte kryesimin e nismës SHBA - Karta e Adriatikut (A5), ndërsa për vitin 2020 kryesimin e nismës e merr Bosnjë dhe Hercegovina.

Vendet anëtare të nismës A-5 janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Mali Zi dhe SHBA, ndërsa vende vëzhguese Kosova, Sllovenia dhe Serbia.

Marrëveshja për formimin e nismës SHBA-Karta e Adriatikut u nënshkrua në vitin 2003, me qëllim që të promovonte dhe fuqizonte bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın