BALLKANI, Koronavirusi

Qindra raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, vendosen masa të reja

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet si Afrika e Jugut, Kenia, Angola, Zambia, Bostvana, Senegali, duke filluar nga data 3 dhjetor

Fatjon Cuka   | 02.12.2021
Qindra raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, vendosen masa të reja

Tiranë

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 3 të vdekur dhe 466 raste të tjera me koronavirusin e ri (COVID-19), ndërkohë, autoritetet kanë marrë masa të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë është rritur në 200.639, ndërsa numri i të vdekurve në 3.104.

Në gjithë vendin janë shëruar 524 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 190.902 dhe raste aktive aktualisht janë 6.633.

Në Shqipëri janë kryer edhe 2.503 testime të reja dhe deri më tani janë kryer gjithsej 1.398.152 testime për personat e dyshuar me koronavirus.

- Masa të reja kundër COVID-19

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare në Shqipëri që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi më datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo pesë ditë.

Sipas njoftimit të ministrisë, nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet si Afrika e Jugut, Kenia, Angola, Zambia, Bostvana, Senegali, duke filluar nga data 3 dhjetor, për tri javë.

Ndërkohë, masat e tjera në fuqi janë edhe ora policore që vijon nga ora 23:00 – 06:00. Vijon edhe masa që qytetarët që hyjnë në Shqipëri, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi ose test PCR, të kryer brenda 72 orëve.

Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete dhe në dyqane, si dhe urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive deri në 30 për qind të kapaciteteve me prezencë të spektatorëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın