BALLKANI

"Qeveria e Turqisë ka qenë gjithmonë bujare me Shqipërinë"

TIKA ka ofruar 400 koshere blete për 40 pjesëtarët e Shoqatës së Bletarëve Dibër, dhe materiale të ndryshme për bletërritësit, duke përfshirë veshjet, si dhe pajisje për nxjerrjen e mjaltit

Fatjon Cuka   | 31.07.2019
"Qeveria e Turqisë ka qenë gjithmonë bujare me Shqipërinë" ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Dibër

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon realizimin e projekteve në Shqipëri në fusha të ndryshme, ndërsa projekti i fundit është për ndihmën e ofruar për bletarët e Dibrës, raporton Anadolu Agency (AA).

TIKA ka dhuruar 400 koshere blete dhe pajise të tjera ndihmëse për dhjetëra bletarë të Dibrës, ndërsa të pranishëm në shpërndarjen e tyre ishin koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu dhe përfaqësues të Shoqatës së Bletarëve Dibër.

Duke përshëndetur të pranishmit, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, tha se projekti në fjalë është një projekt në fushën e zhvillimit të zonave rurale.

"TIKA realizon projekte të ndryshme në lidhje me zhvillimin e Shqipërisë, si në sektorin e arsimit, shëndetësisë, në bujqësi dhe blegtori. Ky është një projekt në fushën e zhvillimit të zonave rurale, një projekt në lidhje me zhvillimin në fushë e bletarisë në rajon. Ne mendojmë ta zhvillojmë këtë projekt në bazë të rezultateve që do të kemi", tha Özütok.

Ai tha se në të ardhmen planifikojnë të ndërtojnë edhe një repart në lidhje me këtë fushë.

Ndërsa prefekti i Dibrës, Shehu, theksoi se Qeveria e Turqisë ka qenë gjithmonë bujare me Shqipërinë, por edhe me zonën e Dibrës. "Natyra është e përshtatshme për bletarinë. Ju jemi mirënjohës përfaqësuesve të TIKA-s", tha Shehu.

Asllan Xhani, ish-kryetar i Shoqatës së Bletarëve të Dibrës, tha se rrethi i Dibrës është një vend me resurse të konsiderueshme për bletarinë.

"Dibra ka një mjedis shumë të favorshëm për zhvillimin e bletarisë edhe falë ndihmës nga TIKA për 40 bletarët. Shpresoj të na ndihmojë edhe në fuqizimin kapaciteteve tona për zhvillimin e bletarisë në zonën tonë, edhe për bletarët e tjerë. Prania e TIKA-s këtu është një tregues i qartë i seriozitetit dhe përkrahjes vëllazërore", tha Xhani.

TIKA ka ofruar 400 koshere blete për 40 pjesëtarët e Shoqatës së Bletarëve Dibër, dhe materiale të ndryshme për bletërritësit, duke përfshirë veshjet, si dhe pajisje për nxjerrjen e mjaltit.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim që kur ka filluar aktivitetet e saj në Shqipëri, ka ofruar mbështetje dhe realizuar projekte në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın