BALLKANI

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpall gjendje krize shkaku i zjarreve

Në një njoftim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut theksohet se gjendja e krizës është shpallur duke pasur parasysh nevojën për shfrytëzim racional të resurseve kombëtare dhe veprim të koordinuar të të gjitha institucioneve

Abdula Berisha  | 05.08.2021 - Përdıtësım : 06.08.2021
Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpall gjendje krize shkaku i zjarreve

Shkup

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e mbajtur përmes video-konferencës miratoi vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në tërë territorin e vendit për shkak të zjarreve që kanë kapluar pjesë të ndryshme të territorit, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë e konfirmoi zv/kryeministri Artan Grubi në një deklaratë për media pas tryezës së rrumbullakët me temë: "Rëndësia e Marrëveshjes së Ohrit për bashkësitë më të vogla".

"Miratuam vendimin për të shpallur gjendje krize në 30 ditët e ardhshme në vendin tonë. Ju e dini që sot kanë ardhur ekipe nga Sllovenia, dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim tashmë është duke shkuar në Berovë për t'u takuar me ekipet dhe ne po përpiqemi të mobilizojmë plotësisht të gjitha kapacitetet tona institucionale për t'u marrë me zjarret", tha Grubi.

Ai tha se shpreson që shpallja e gjendjes së krizës, bashkë me ndalesën për lëvizje në pyje, do të jenë të dobishme në këtë situatë, ndërsa apeloi që qytetarët të jenë më të ndërgjegjshëm, pasi sipas tij, pothuajse në të gjitha rastet zjarret janë shkaktuar nga faktori njeri.

Grubi gjithashtu tha se është në kontakt të vazhdueshëm, respektivisht në mëngjes ka biseduar me autoritetet që i kanë konfirmuar se situata është nën kontroll dhe se po ballafaqohen në mënyrën e duhur me zjarret.

Në një njoftim të veçantë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut theksohet se gjendja e krizës është shpallur duke pasur parasysh nevojën për shfrytëzim racional të resurseve kombëtare dhe veprim të koordinuar të të gjitha institucioneve.

Në njoftim thuhet se për vendimin, Qeveria do të njoftojë Presidentin e Maqedonisë së Veriut dhe Kryetarin e Kuvendit.

Gjithashtu, theksohet se Presidentit do t'i propozohet që të miratojë pjesëmarrjen e një pjese të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në menaxhimin me situatën.

Më herët në mëngjes, Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK) e Maqedonisë së Veriut njoftoi se aktualisht ka zjarre aktive në rajonet e Manastirit, Strumicës, Kumanovës dhe Shtipit.

Në njoftimin e QMK-së thuhet se zjarrfikësit, pjesëtarë të ushtrisë dhe në disa vende një pjesë e ekipit nga Bullgaria, si dhe popullsia vendase, marrin pjesë në shuarjen e zjarreve që në orët e para të mëngjesit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.