BALLKANI

Qeveria e Maqedonisë së Veriut reagon ndaj deklaratave të ministrit bullgar të Mbrojtjes

Zëdhënësi i qeverisë, Arsovski, tha se "deklaratat e tilla janë të padenja dhe të papërshtatshme” dhe se “përfaqësuesit e dy vendeve anëtare të NATO-s nuk mund të komunikojnë me njëri-tjetrin në këtë mënyrë”

Admir Fazlagikj   | 21.10.2020
Qeveria e Maqedonisë së Veriut reagon ndaj deklaratave të ministrit bullgar të Mbrojtjes

Shkup

Qeveria e Maqedonisë së Veriut reagoi ndaj deklaratave të ministrit të Mbrojtjes të Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i sapoemëruar i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski, sot mbajti konferencën e parë për shtyp, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari në lidhje me deklaratën e ministrit të Mbrojtjes të Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, se ai është "i gatshëm të dërgojë një regjiment inxhinierik dhe të largojë monumentet dhe pllakat përkujtimore mbi të cilat shkruan ‘pushtuesi fashist’”.

Zëdhënësi Arsovski përmendi pozicionin e ministres së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, duke theksuar se "deklaratat e tilla janë të padenja dhe të papërshtatshme” dhe se “përfaqësuesit e dy vendeve anëtare të NATO-s nuk mund të komunikojnë me njëri-tjetrin në këtë mënyrë”.

"Në të njëjtën kohë, zëdhënësi Arsovski shprehu besimin se Bullgaria, si një vend fqinj që i pari e njohu pavarësinë e Maqedonisë së Veriut dhe që ishte promovuesi i parë i integrimit tonë në NATO dhe BE, nuk do të mendonte për të kontestuar të drejtën e identitetit të popullit maqedonas mik”, thuhet në njoftimin për shtyp të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Më tej thuhet se Arsovski shprehu optimizmin e qeverisë se ky nuk është pozicioni i shumicës në Bullgari dhe se do të gjendet një zgjidhje për kapërcimin e këtij keqkuptimi me Bullgarinë fqinje.

Kujtojmë se pas një pauze prej gati një viti, komisioni i përbashkët për çështje historike dhe arsimore midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë zhvilloi bisedime në Shkup më 15 dhe 16 tetor, ndërsa përfaqësuesit e komisionit deklaruan se kanë bërë "hapa të vegjël përparimi në bisedime". Siç është njoftuar, në takim është rënë dakord që të mbahet një takim tjetër deri në fund të këtij viti dhe pesë të tjera për vitin e ardhshëm.

Komisioni dypalësh multidisiplinar për çështje historike dhe arsimore midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u formua në kuadër të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë midis dy vendeve të nënshrkuar në qershor 2017, sipas së cilës, ky komision duhet të arrijë pajtueshmëri mbi faktet dhe dokumentet historiografike në lidhje me ngjarjet dhe personalitetet e përbashkëta historike.

Më 16 shtator, në prag të vendimit për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, Bullgaria u dërgoi vendeve anëtare të BE-së një memorandum shpjegues të përbërë nga 6 faqe, me shpjegime të gjata historike të "ideologjisë shtetërore anti-bullgare" në Maqedoninë e Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın