BALLKANI

Promovohet fjalori më i madh ndonjëherë Shqip-Serbisht dhe anasjelltas

"Platforma është e qasshme online në shqip dhe serbisht dhe në vitin e parë ne gjithashtu kemi mbështetur mësime në 13 klasë (ballë për ballë) në gjashtë komuna”, tha Abbott

Agim Sulaj  | 26.09.2019 - Përdıtësım : 27.09.2019
Promovohet fjalori më i madh ndonjëherë Shqip-Serbisht dhe anasjelltas ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Me rastin e Ditës Evropiane të Gjuhëve, në Prishtinë është promovuar fjalori më i madh ndonjëherë në gjuhët Shqip-Serbisht dhe Serbisht-Shqip, raporton Anadolu Agency (AA).

Fjalori 20 mijë fjalësh, i punuar nga akademikë nga Kosova dhe Serbia, që u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, mblodhi qindra të interesuar. Ky fjalor u mundësua nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Misioni i UNMIK-ut, me mbështetje nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Sipas kontribuesve të këtij projekti, fjalori ka ardhur si nevojë e shtruar nga vetë qytetarët e Kosovës pas hulumtimeve që kanë bërë me ta. 71,3 për qind e serbëve kanë deklaruar se dëshirojnë ta mësojnë gjuhën shqipe, ndërsa tek shqiptarët 73 për qind kanë shprehur dëshirë ta mësojnë serbishten.

Përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK-ut Zahir Tanin, tha se mosnjohja e gjuhës së fqinjit shkakton mosbesim tek njëra dhe tjetra palë. Tanin tha se mësimi i shqipes nga serbët dhe i serbishtes nga shqiptarët “do të jetë në të ardhmen një argument për pajtimin politik në mes kombeve”.

“Barrierat gjuhësore e pengojnë komunikimin dhe shkaktojnë probleme nga shërbimet publike dhe në tërësi në raportet njerëzore. Kjo pastaj është problem edhe në mes të komuniteteve, por, në veçanti, barrierat gjuhësore i pengojnë komunitetit që të ushtrojnë të drejtat e plota të tyre njerëzore dhe të drejtat dhe liritë themelore duke krijuar një lloj mosbesimi tek tjetri”, tha Tanin.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se ky fjalor i titulluar "Voc-Up" është një mundësi e mirë e mësimit të gjuhës serbe dhe shqipe. Abbott tha se ky projekt ka filluar para dy viteve dhe tani është i përfshirë në 30 komuna të Kosovës, me 22 mijë përdorues.

“Njohja e gjuhës së tjetrit dhe mirënjohja e njëri-tjetrit është ajo çfarë sjellë progres. Në vitin 2017 kemi filluar të punojmë me implementuesit tanë, IOM, Qendrën e Organizatave për Iniciativa Sociale për të zhvilluar platformën 'voc-up' dhe mbështetur mësimin e gjuhëve në Kosovë. Platforma është e qasshme online në shqip dhe serbisht dhe në vitin e parë ne gjithashtu kemi mbështetur mësime në 13 klasë (ballë për ballë) në gjashtë komuna”, tha Abbott.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Qendra për Iniciativa Sociale në Kosovë në vitin 2018, popullsia serbe në Kosovë nuk ka ndonjë njohuri të gjuhës shqipe. Vetëm 5 për qind e tyre e flasin shqipen, ndërsa 31 për qind e kuptojnë pjesërisht atë, ndërsa 64 për qind e tyre nuk e flasin gjuhën. Sa u përket shqiptarëve, 18 për qind e tyre e flasin gjuhen serbe, 49 për qind e kuptojnë atë pjesërisht dhe 31 për qind nuk e flasin këtë gjuhë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.