BALLKANI

Presidentja Osmani: Nuk dëshiroj të krijojë pritje për liberalizimin e vizave

“Ne u jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të vendeve anëtare dhe tani është koha që vendet anëtare vërtetë të mbështesin këtë proces, sepse është padrejtësi e madhe që u është bërë qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani në Bruksel

Agim Sulaj  | 23.06.2022 - Përdıtësım : 23.06.2022
Presidentja Osmani: Nuk dëshiroj të krijojë pritje për liberalizimin e vizave

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para fillimit të Samitit të Bashkimit Evropian (BE) – Ballkani Perëndimor në Bruksel ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave por, megjithëkëtë nuk dëshiron “që të rritë pritjet në këtë kohë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për liberalizimin e vizave, për të cilin proces është përfolur se do të shtrohet si çështje gjatë këtij samiti, Osmani tha se nuk dëshiron që të krijojë pritje nga qytetarët, ngase, siç tha ajo, “ky proces nuk është në dorën tonë”.

“Ne u jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të vendeve anëtare dhe tani është koha që vendet anëtare vërtetë të mbështesin këtë proces, sepse është padrejtësi e madhe që u është bërë qytetarëve të Kosovës. Bëhet fjalë për principin bazik të lëvizjes së lirë. Qindra miliona njerëz nga Evropa dhe madje edhe jashtë Evropës, madje deri në Venezuelë, kanë lëvizje të lirë dhe qytetarët e Kosovës, më pak se 2 milionë, ende nuk e kanë atë të drejtë”, tha Osmani.

Në pyetjet e gazetarëve se cilat janë pritjet e saj në këtë samit, Osmani tha se ndodhet në këtë samit për të dhënë mesazh se BE-ja është caku i Kosovës.

“Qëndroj sot këtu për të dhënë edhe një mesash të fortë në emër të qytetarëve të Kosovës, sepse kemi nevojë për një zë të qartë nga BE-ja, kemi nevojë për një mesazh unik nga BE-ja, për Ballkanin Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë që lihet, për faktorët e tjerë malinj, është e qartë se ata do ta përdorin. Shpresoj se do të dëgjojmë një perspektivë të qartë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së”, theksoi ajo.

Presidentja kosovare ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë të jenë në këtë samit për të shprehur qëndrimet e tyre drejt BE-së, ndërsa duke iu referuar Serbisë tha se “ata që besojnë se mund të lëvizin në rrugën e Moskës, në rrugën e Putinit, e në të njëjtën kohë edhe në rrugën e BE-së, nuk e meritojnë të jenë në rrugën e BE-së, sepse nuk mund të lëvizësh në të dy rrugët njëkohësisht”.

“Deri më tani dhe fatkeqësisht Serbia nuk ka treguar asnjë dëshirë që të marrë qëndrim të plotë me atë të BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, e në këtë rast, përveç dëmtimit të perspektivës së tyre evropiane, ata po dëmtojnë tërë rajonin sepse po lejojnë ndikim më të madh rus në tërë rajonin. E kjo sigurisht se është shumë e dëmshme edhe për të ardhmen tonë afatgjate për paqe dhe stabilitet”, tha Osmani.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë në samitin dyditor (23 dhe 24 qershor) për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.

Po ashtu gjatë vizitës në Bruksel, presidentja Osmani ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola si dhe do të takohet me krerë tjerë shtetesh partnere të BE-së për ta rritur mbështetjen për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.