BALLKANI

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon kryeministrin e Japonisë

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Japonisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, posaçërisht në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare

Agim Sulaj  | 25.07.2021 - Përdıtësım : 26.07.2021
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon kryeministrin e Japonisë Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës / AA

Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve bilaterale gjatë qëndrimit të saj në Japoni, është pritur në takim nga kryeministri japonez Yoshihide Suga, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Osmani e ka falënderuar kryeministrin Suga për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës në fushën e shëndetësisë dhe mjedisit, teksa ka shfaqur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në sfera të tjera të interesit të përbashkët, sidomos për investime japoneze në Kosovë.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Japonisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, posaçërisht në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Midis palëve është biseduar edhe për mundësitë e shkëmbimit të studentëve në programe të ndryshme arsimore.

Presidentja Osmani e cila udhëtoi drejt Japonisë për të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike "Tokio 2020" dhe për takime bilaterale, u takua të premten me ministrin e Jashtëm të Japonisë, Toshimitsu Motegi ndërsa së bashku me liderë të tjerë botërorë është pritur edhe nga Perandori i Japonisë, Naruhito.

Kosova në "Tokio 2020" po merr pjesë me 11 sportistë pjesëmarrës, ku deri më tash xhudistja Distria Krasniqi ka marrë medaljen e parë të artë pasi mundi të shtunën në finale japonezen, Funa Tonaki.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın