Shëndetësi, BALLKANI, Koronavirusi

Planifikimi i buxheteve komunale në vitin 2021 në Kosovë, më i vogël për shkak të COVID-19

Nga komunat të cilat ka pasur rënie më të madhe të planifikimit të buxhetit në vitin 2021 krahasuar me vitin paraprak, është ajo e Ferizajt me 12.5 për qind buxhet më pak se sa në 2020

Agim Sulaj  | 17.01.2022 - Përdıtësım : 17.01.2022
Planifikimi i buxheteve komunale në vitin 2021 në Kosovë, më i vogël për shkak të COVID-19 Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezë me temë “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të një hulumtimi të bërë nga kjo organizatë, komunat në Kosova gjatë vitit 2021 kanë pasur planifikim më të vogël buxhetor për shkak të situatës me pandeminë e COVID-19 dhe instruksioneve të dhëna nga ana e Ministrisë së Financave për shkurtime të shpenzimeve.

Raporti bën të ditur se nga komunat të cilat ka pasur rënie më të madhe të planifikimit të buxhetit në vitin 2021 krahasuar me vitin paraprak, është ajo e Ferizajt me 12.5 për qind buxhet më pak se sa në 2020.

Sa i përket rritjes së planifikimit në subvencione, Naim Canhasit nga KDI, i cili e shpalosi këtë raport tha se nga komunat e mëdha të Kosovës, Prishtina ka pasur rritje më të madhe.

“Kur i krahasojmë subvencionet e planifikuara të vitit 2018 me vitin 2021, del që Komuna e Prishtinës ka rritje prej 120.1 për qind. Pastaj kemi Komunën e Prizrenit si komunë e dytë e radhitur nga të cilat kishte një rritje shumë të madhe të subvencioneve në vitin 2021 me 98.9 për qind rritje”, tha ai.

Raporti gjithashtu bëri të ditur se Komuna e Mitrovicës së Jugut është komuna me trend të rritjes së planifikimit të buxhetit më së shumti në krahasim me shtatë komunat tjera më të mëdha në Kosovë, me 90.8 për qind.

Por, sa i përket investimeve kapitale, dy qytetet me rritje të planifikimit buxhetor në vitin 2021 kanë dalë të jenë Peja dhe Gjilani.

“Janë Komuna e Pejës dhe Gjilanit të cilat kishin më së shumti rritje në planifikim të buxhetit në kategorinë e investimeve kapitale. Me 38.9 për qind është komuna e Pejës deri sa me 24.9 për qind është Komuna e Gjilanit”, tha ai.

Të dhënat e publikuara në këtë raport janë bërë përmes kërkesave për qasje në dokumente publike në të gjitha komunat në Kosovë dhe shpenzimet janar-shtator 2021, janë krahasuar me ato të vitit 2020.

Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze, përpos publikimit të raportit të shpenzimeve të parasë publike në dy kategoritë buxhetore gjatë mandatit të kaluar qeverisës në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, ka qenë edhe diskutimi i të gjeturave me aktorë menaxhues dhe vendimmarrës në nivel lokal.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın