BALLKANI

Pjesëmarrja në zgjedhjet e komunave veriore të Kosovës, 42,42 për qind

Janë mbyllur në kohë të gjitha vendvotimet në katër komunat veriore të Kosovës, njoftoi kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor

Agim Sulaj  | 19.05.2019 - Përdıtësım : 20.05.2019
Pjesëmarrja në zgjedhjet e komunave veriore të Kosovës, 42,42 për qind ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, bëri të ditur se janë mbyllur të gjitha vendvotimet (87) dhe se procesi i votimit në vendvotimet në katër komunat veriore të Kosovës është zhvilluar pa ndonjë problem, raporton Anadolu Agency (AA).

Daka njoftoi se në këto zgjedhje pati një shtim të lehtë të votuesve krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale në këto komuna.

“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare nga terreni, procesi i votimit në këto katër komuna është zhvilluar pa ndonjë problem. Ju njoftojmë se të drejtën në këto zgjedhje e shfrytëzuan 24,595 apo 42,42 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, nga gjithsej 57,983 sa është numri i tyre. Në zgjedhjet lokale më 22 tetor 2017, në të njëjtën kohë kishin votuar 23,891 votues ose 41,90 për qind", tha Daka.

Kryetarja e KQZ-së, duke falënderuar komisionerët, respektivisht anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve për punën e mirë gjatë ditës së sotme, inkurajoi ata që gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit, me qëllim që, siç tha ajo, vullneti i qytetarëve të respektohet me përpikmëri.

Për fund, ajo informoi se nga ora 19:00 ka filluar të rrjedhë afati 24 orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me procesin e votimit të sotëm.

Ndryshe, sot u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore me shumicë serbe të Kosovës, në Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna u shpallën në fillim të prillit 2019 nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pasi kryetarët e katër komunave, të gjithë nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje më 27 nëntor të vitit 2018 si reagim ndaj taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe që hynë në Kosovë. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.