Bota, BALLKANI

Piramida e Tiranës, nga muze i ish-diktatorit Enver Hoxha në një atraksion turistik

Pas transformimit të saj disa vite më parë, Piramida e Tiranës, ndërtesa simbol e periudhës së tranzicionit demokratik në Shqipëri, përveçse atraksion turistik është kthyer edhe në një qendër multifunksionale

Fatjon Cuka  | 14.11.2025 - Përdıtësım : 14.11.2025
Piramida e Tiranës, nga muze i ish-diktatorit Enver Hoxha në një atraksion turistik Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

FATJON CUKA

Në mesin e destinacioneve turistike të kryeqytetit të Shqipërisë është edhe Piramida e Tiranës, e cila është kthyer në një atraksion turistik për vizitorët e huaj dhe vendas.

Pas transformimit të saj disa vite më parë, kjo ndërtesë simbol e periudhës së tranzicionit demokratik në Shqipëri, përveçse atraksion turistik është kthyer edhe në një qendër multifunksionale.

Piramida që ndërthur historinë, arkitekturën, turizmin, modernen dhe inovacionin, është në mesin e disa atraksioneve unike turistike që ofron Tirana, dhe ngjall interes të lartë për historinë e saj, por edhe për arkitekturën e veçantë, që ngjason edhe me piramidat e Egjiptit.

Në vitet e fundit të diktaturës në Shqipëri ishte një muze kushtuar diktatorit shqiptar Enver Hoxha cili drejtoi Shqipërinë komuniste në vitet 1944-1985, ndërsa sot Piramida është kthyer në qendër shumëfunksionale dhe në një atraksion për turizmin në Tiranë.


- Historiku i Piramidës së Tiranës

Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Tiranës, Piramida u përurua në 14 tetor të vitit 1988 si muzeu i ish-diktatorit Enver Hoxha, duke shërbyer si një muze i trashëgimisë së ish-udhëheqësit komunist deri në vitin 1991.

Struktura e ndërtesës u projektua si krahë shqiponje, simbol i kombit shqiptar, që duket si e tillë vetëm nga lart, ndërkohë nga këndvështrimi tjetër i kalimtarit ngjason me një piramidë, nga edhe ka marrë emrin edhe në përdorimin e përditshëm.

Për projektimin e saj punoi një grup arkitektësh nën drejtimin e vajzës dhe dhëndrit të ish-diktatorit Hoxha.

Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, filloi edhe transformimi i kësaj godine unike, ku për disa dekada ka pasur funksione të ndryshme, nga qendër kulturore në ndërtesë multifunksionale.


- Transformimi dhe shndërrimi në atraksion turistik

E vendosur pranë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", Piramida është një nga ndërtesat më të njohura për shqiptarët, por edhe për të huajt që vizitojnë Tiranën.

Objekti është rreth 6.000 metra katrorë dhe ka një lartësi deri në 21 metra, ndërsa sipërfaqja e përgjithshme së bashku me ambientet e jashtme të saj është rreth 30 mijë metra katrorë.

Autoritete shqiptare vendosën që ta shndërrojnë Piramidën e Tiranës në ndërtesë moderne dhe atraktive dhe infrastruktura e saj e re dhe e larmishme u inaugurua në tetor të vitit 2023.

Projekti i transformimit të Piramidës së Tiranës synonte shndërrimin e saj në një qendër multifunksionale, me hapësira për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë, inovacion dhe teknologji krijuese.

Pas transformimit, Piramida e ka ruajtur bazën dhe strukturën e saj kryesore, por është shndërruar në një ambient modern me "mini ndërtesa kuti" shumëngjyrëshe të vendosura përreth saj që kanë funksione të ndryshme, duke u shndërruar në një hapësirë edhe argëtimi për qytetarët dhe turistët.

Shkallët e saj të famshme dhe të veçanta u mundësojnë vizitorëve "të zotërojë godinën" dhe të shikojnë gjithë kryeqytetin e Shqipërisë, ku pas ngjitjes në majë të saj ofrohet një panoramë e Tiranës.

Sot, piramida përdoret për konferenca, punëtori studiosh, qendër teknologjike, qendër argëtimi, për bare, restorante, biznese të tjera dhe si ambient pushimi dhe argëtimi.


- Turistët tregojnë interes të lartë

Piramida është një nga atraksionet turistike të Tiranës, që tërheq vizitorë të shumtë nga vende të ndryshme në çdo stinë të vitit.

Fidan Bayramova nga Azerbajxhani e ka vizituar për herë të parë Tiranën dhe ka zgjedhur që të shikojë nga afër ndërtesën e Piramidës. Për Anadolu ajo tregon se i pëlqen shumë Piramida.

"Gjithçka është shumë e mirë. Moti është shumë i bukur dhe gjithashtu vendet historike më pëlqejnë shumë", tha Bayramova, duke e cilësuar Piramidën si të veçantë.

Andine Nabilla Octaviany është një tjetër turiste e huaj nga Indonezia dhe që e viziton për herë të parë Tiranës, ku ndalesë e saj është edhe Piramida.

"Më pëlqen shumë ky vend në Tiranë, me ndërtesa të bukura dhe pastaj kaq shumë njerëz të mirë këtu. Këtë piramidë është hera e parë që e shoh si kjo. Mendoj se kjo është një nga vendet e mira këtu, sepse jam shumë e interesuar për këtë. Mund ta shohim të gjithë malin, ndërtesën dhe pamja është e mirë", tha ajo.

David Canada nga Spanja ka vizituar Tiranën së bashku me miqtë e tij, ndërsa Piramida i pëlqen edhe për pamjen që të ofron për gjithë qytetin.

"Është vërtet bukur. Na ka pëlqyer shumë vendi. Njerëzit janë gjithashtu shumë miqësorë. Është e bukur dhe kemi pamje të të gjithë qytetit", tha ai.

Ariana Falcon nga Spanja është një tjetër turiste që ka zgjedhur Tiranën për të eksploruar atraksionet turistike dhe historinë e saj. Në mesin e destinacioneve turistike të kryeqytetit ajo ka vizituar edhe Piramidën për të cilën shprehet si i pëlqen shumë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.