BALLKANI

"Perspektiva e NATO-s për sigurinë është më e avancuar se ajo e BE-së"

"Perspektiva e NATO-s për sigurinë është më e qartë dhe më e avancuar se perspektiva e BE-së. Kjo provohet edhe nga fakti që mjaft vende të rajonit janë anëtare të NATO-s, por nuk kanë ende një perspektivë të qartë drejt BE-së", tha Ruçi

Saimir Alija   | 18.11.2019
"Perspektiva e NATO-s për sigurinë është më e avancuar se ajo e BE-së"

Tiranë

Në Shqipëri është zhvilluar takimi me temë "NATO, demokracia dhe siguria përballë rreziqeve të avancimeve të shpejta të teknologjisë së informacionit", me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në takim ishin kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli, e ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Leyla Moses-Ones dhe ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i SHBA-ve dhe ish-komandanti Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë, gjeneral James L. Jones.

Në fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ruçi, tha se çështja e sigurisë në rajon ka një garant, që sipas tij është NATO.

"Perspektiva e NATO-s për sigurinë është më e qartë dhe më e avancuar se perspektiva e Bashkimit Evropian (BE). Kjo provohet edhe nga fakti që mjaft vende të rajonit janë anëtare të NATO-s, por nuk kanë ende një perspektivë të qartë drejt BE-së. Serbia dhe Mali i Zi kanë çelur negociatat, por janë në vend numëro. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u refuzuan pa të drejtë dhe pa e merituar nga ky proces në mbledhjen e Këshillit Evropian të 17-18 tetorit. Ndërsa Kosova dhe Bosnje-Hercegovina kanë një perspektivë edhe më të paqartë", tha Ruçi.

Sipas Ruçit, Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e influencave të qytetërimit perëndimor dhe atyre joperëndimore.

"Qëndrimet e dyzuara të vendeve skeptike, Francës, Holandës dhe Danimarkës dhe imponimi i tyre ndaj Këshillit Evropian, natyrshëm lëshon terren për fuqitë joperëndimore. Unë nuk mendoj se refuzimi i Këshillit për të hapur negociatat do të pasohet imediatisht nga rritja e influencës së tyre. Por duhet të pranojmë se jo të gjitha vendet e rajonit kanë të njëjtin vokacion perëndimor si Shqipëria", u shpreh më tej Ruçi.

Duke folur për çështjen e sigurisë kibernetike në rajon, kryeparlamentari Ruçi tha se rreziqet vijnë prej shpërdorimit të teknologjive të avancuara.

Takimi u organizua nga një grup deputetësh dhe ish-deputetësh shqiptarë, me fokus diskutimet për çështjet e sigurisë përballë rreziqeve të avancimeve të shpejta të teknologjisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın