BALLKANI

Pendarovski-Varhelyi: Fokusi është në perspektivën për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE

Pendarovski po ashtu ka shprehur shpresën se Varhelyi do të japë mbështetje të fuqishme për perspektivën e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor

Admir Fazlagikj  | 15.01.2020 - Përdıtësım : 16.01.2020
Pendarovski-Varhelyi: Fokusi është në perspektivën për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE ( Abdula Berısha - Anadolu Agency )

Shkup

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka pritur në takim Komisarin e Bashkimit Evropian (BE) për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi Zyra e presidentit Pendarovski, ai ka uruar Eurokomisarin Varhelyi për emërimin e tij në këtë post duke i uruar suksese në punën e tij.

Pendarovski po ashtu ka shprehur shpresën se Varhelyi do të japë mbështetje të fuqishme për perspektivën e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut si dhe për aspiratat e vendit për anëtarësim në BE.

"Presidenti Pendarovski theksoi se integrimi evropian dhe euro-atlantik mbetet një qëllim strategjik për vendin tonë. Në pritje të finalizimit të fundit të anëtarësimit në NATO. Pendarovski tha se përqendrimi i vendit është në perspektivën e hapjes së bisedimeve të pranimit me BE-në”, thuhet në njoftim.

Pendarovski tha se vendi i tij mbetet i përkushtuar në axhendën evropiane, siç theksoi ai, duke marrë parasysh faktin se anëtarësimi në BE ka një konsensus kombëtar midis palëve të interesuara politike dhe mbështetje të lartë të qytetarëve.

Ai po ashtu ka shprehur shpresë se deri në mars të këtij viti do të përcaktohet një metodologji e re për udhëheqjen e procesit të bisedimeve të pranimit midis vendeve anëtare të BE-së.

“Në kontekstin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, presidenti Pendarovski bëri thirrje për përgjegjësi nga të gjithë aktorët politikë dhe theksoi se ata duhet të jenë të drejtë, të lirë dhe në një atmosferë demokratike, duke patur parasysh aspiratat tona për një shtet të ardhshëm anëtar të BE-së”, theksohet në njoftim.

Në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, Eurokomisari Varhelyi u takua me kryeministrin teknik, Oliver Spasovski dhe pritet të takohet edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.