BALLKANI

Pendarovski për rastin “Zhvatja”: Kërkoj përfundimin efektiv dhe të shpejtë të hetimit

Pendarovski tha se që në fillim për rastin “Zhvatja” ka theksuar qëndrimin e tij se është i dëshpëruar nga ajo që dëgjoi dhe bëri thirrje për hetim të shpejtë dhe në themel

Admir Fazlagikj   | 12.08.2019
Pendarovski për rastin “Zhvatja”: Kërkoj përfundimin efektiv dhe të shpejtë të hetimit ( Admir Fazlagikj - Anadolu Agency )

Shkup

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me rastin e ndodhive të fundit lidhur me rastin “Zhvatja”, mbajti konferencë shtypi, në të cilën nga institucionet kompetente kërkoi përfundimin efektiv, të shpejtë dhe themelor të hetimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pendarovski tha se që në fillim për rastin “Zhvatja” ka theksuar qëndrimin e tij se është i dëshpëruar nga ajo që dëgjoi dhe bëri thirrje për hetim të shpejtë dhe në themel duke shtuar se në vend të kësaj “kompetentët shkuan në pushim vjetor sikur të bëhet fjalë për gjendje të zakonshme të rregullt dhe për një lëndë rutimore, mirëpo nuk është ashtu”.

“Video dhe audio incizimet që gjatë ditëve të fundit shpërndahen nëpër mediume shkaktuan dëshpërim të madh tek qytetarët, ndërsa veçmas tek ata që me vite edhe me çmim të trysnive dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga pushteti i kaluar protestuan për çdo ditë duke kërkuar drejtësi. Revolta tek qytetarët është e madhe dhe tërësisht e arsyeshme”, deklaroi Pendarovski.

Presidenti Pendarovski tha se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij si president i të gjithë qytetarëve dhe e ka për detyrë që t’i mbrojë interesat e shtetit dhe qytetarëve të tij, prosperitetin dhe sigurinë, si dhe realizimin e qëllimeve strategjike të politikës së jashtme drejt të cilave dy vitet e fundit me shpejtësi është nisur shteti, NATO dhe BE. Ai kërkoi nga institucionet kompetente “fillimish, përfundimin efektiv, të shpejtë dhe themelor të hetimit duke respektuar parimin e presumimit të pafajësisë. E dyta, nëse ka dëshmi, të parashtrohen aktakuza kundër të gjithë involvuarve pa dallim nëse janë bartës të funksioneve ose jo”.

Mes tjerash, ai tha se përveç përgjegjësisë penale-juridike, nëse ka lidhje tjetër me rastin, në aspektin e dhënies së mbrojtjes së personave nën hetim, insiston edhe në përgjegjësi politike të politikanëve, pavarësisht nëse janë nga pushteti ose nga opozita.

Pendarovski kërkoi edhe nga mediat që me kujdes t’i kontrollojnë informacionet prej anëve të ndryshme, meqë, siç tha, lajmet e rrejshme nuk kanë për qëllim ta informojnë opinionin vendor.

“Si president i jap mbështetje të plotë institucioneve kompetente, veçmas Prokurorisë dhe Gjykatës dhe do t’i përdori të gjitha autorizimet kushtetuese dhe ligjore për t’i mbrojtur nga trysnitë. Po ashtu, do t’i përdori të gjitha autorizimet ligjore për të mbrojtur sigurinë nga orvatjet eventuale për cenimin e saj, qoftë nga brenda, qoftë nga jashtë”, theksoi Pendarovski.

- Rasti “Zhvatja”

Rikujtojmë se Prokuroria Themelore Publike për Luftimin e Krimit dhe Korrupsionit (PTHP-LKK) më 15 korrik nisi hetim ndaj Bojan Jovanovski i njohur si "Boki 13" dhe Zoran Milevski Kiçeec, i njohur si "Zoki" , të cilët akuzohen për vepër penale "pranim të shpërblimit për ndikim antiligjor" dhe të dy të dyshuarit me vendim të gjykatës u dërguan në paraburgim. PTHP-LKK gjithashtu po heton nëse këta dy persona mund të kenë lidhje me kryetaren e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva, e cila udhëheq me prokurorinë e krijuar pas marrëveshjes politike mes partive më të mëdha për të proceduar të gjitha materialet nga afera e përgjimeve. 

Sipas njoftimit të PTHP-LKK-së, dy të dyshuarit kanë kërkuar miliona euro duke shantazhuar biznesmenin Jordan Kamçev i cili është i akuzuar në rastin "Perandoria", rast i cili është nën kompetencë të PSP-së.

Të dyshuarit në rastin "Zhvatja" i kanë premtuar Kamçevit se do të ndikojnë në lirimin e tij nga paraburgimi dhe nga rastet që PSP i ka ngritur kundër tij. PTHP-LKK gjithashtu njoftoi se prokurores Katica Janeva i është konfiskuar telefoni celular, ndërsa në ditën kur nisi hetimi, prokurorja Janeva dha dorëheqje nga funksionet. Të enjten, gazeta italiane "La Verita" publikoi një video material në të cilin shfaqen dy të dyshuarit në rastin "Zhvatja" teksa marrin 1,5 milionë euro ryshfet nga Orce Kamçev. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın