BALLKANI

Pendarovski për marrëdhëniet me Bullgarinë: Nuk ka negociata për identitetin tonë

"Pozicioni dihet. Nuk ka kurrfarë lëshime, nuk mund të ketë lëshime nga interesat kombëtare dhe shtetërore, që nënkupton se nuk ka negociata për identitetin tonë. Pikë", tha Pendarovski

Admir Fazlagikj   | 29.10.2020
Pendarovski për marrëdhëniet me Bullgarinë: Nuk ka negociata për identitetin tonë

Shkup

Nuk ka lëshime nga interesat kombëtare dhe shtetërore dhe nuk ka negociata për identitetin tonë, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke komentuar marrëdhëniet midis vendit të tij dhe Bullgarisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sot në rezidencën presidenciale Villa Vodno u mbajt seanca e nëntë e Këshillit të Sigurisë së Maqedonisë së Veriut, e cila u kryesua nga Pendarovski, dhe pas seancës ai dhe kryeministri Zoran Zaev iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

I pyetur për të komentuar pohimet e medias se "dje Këshilli i Ambasadorëve arriti kompromis se Bullgaria nuk do të bllokojë konferencën ndërqeveritare BE-Maqedoni e Veriut dhe do ta njohë gjuhën dhe identitetin maqedonas, por që Maqedonia e Veriut të pranojë të vërtetën e pretenduar historike se gjuha dhe identiteti bazohen në rrënjë bullgare", Pendarovski tha se ai nuk është në dijeni për këto raportime, por theksoi se pozicioni i tij është i qartë.

"Unë nuk kam informacion në këtë drejtim, që një gjë e tillë është debatuar, e lëre më se është arritur marrëveshje. Unë, kryeministri dhe ministri e kemi treguar pozicionin shumë herë. Pozicioni dihet. Nuk ka kurrfarë lëshime, nuk mund të ketë lëshime nga interesat kombëtare dhe shtetërore, që nënkupton se nuk ka negociata për identitetin tonë. Pikë", tha Pendarovski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në lidhje me të njëjtën çështje tha se nuk ka informacion për pretendime të tilla, por theksoi se ai pajtohet me qëndrimin e presidentit Pendarovski, duke theksuar se negociata për identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase nuk ka dhe nuk duhet të ketë.

"Bullgaria është vend mik dhe thekson publikisht njohjen e gjuhës maqedonase dhe popullit maqedonas. Ajo e pranon realitetin dhe besoj se grupet e punës që punojnë dhe bisedojnë me siguri do të gjejnë zgjidhje. Unë me të vërtetë pres që populli bullgar dhe udhëheqja e Bullgarisë të bëjnë një hap konkret dhe preciz për gjuhën maqedonase dhe popullin maqedonas. Edhe një herë dua të përmend se nuk ka asnjë marrëveshje të re, asnjë aneks të marrëveshjes (Marrëveshja e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë), ne jemi të gatshëm të qartësojmë disa gjëra, t'i specifikojmë ato, t'i deklarojmë, ose si të jetë e nevojshme", tha Zaev.

Kujtojmë se në pritje të vendimit për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, më 16 shtator, Bullgaria u dërgoi një memorandum shpjegues vendeve anëtare të BE-së, i përbërë nga gjashtë faqe, me shpjegime të gjata historike të "ideologjisë shtetërore anti-bullgare" në Maqedoninë e Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın