Agim Sulaj
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Parlamenti Evropian (PE) i ka bërë thirrje Kosovës që të sigurojë institucione funksionale, në mënyrë që të përshpejtojë reformat e nevojshme dhe të avancojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, transmeton Anadolu.
Përmes një postimi në rrjetin social amerikan “X”, PE thekson se një legjislaturë dhe një qeveri funksionale janë thelbësore për ecjen përpara të reformave që lidhen me Bashkimin Evropian (BE) dhe për mbështetjen e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në BE si vend kandidat potencial.
"Kosova duhet të përshpejtojë reformat dhe të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë. Parlamenti bën thirrje për një legjislaturë dhe qeveri funksionale, në mënyrë që të avancohen reformat që lidhen me Bashkimin Evropian dhe të mbështetet rruga e Kosovës drejt BE-së si vend kandidat potencial”, thuhet në reagimin e PE-së.
Deputetët e Legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen më 6 gusht, një ditë para se të skadojë afati kushtetues për mbajtjen e seancës konstituive.
Deri më tani Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me ndonjë partie tjetër politike.
LVV-ja mund ta formojë edhe e vetme qeverinë e re, mirëpo asaj i duhet ndihma edhe e deputetëve të opozitës për të votuar presidentin e ri, për të cilin duhen 80 vota, apo 2/3-ta e votave.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka kërkuar intensifikim të bisedimeve politike në prag të seancës konstituive.