BALLKANI

Osmani: Reciprociteti për çështjen e targave nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm

"Reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vet BE-ja"

Ekip  | 21.09.2021 - Përdıtësım : 21.09.2021
Osmani: Reciprociteti për çështjen e targave nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm Foto: AA/Arkiv

Shkup

Lidhur me vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë mbi targat e automjeteve ka reaguar edhe presidentja kosovare, Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se reciprociteti nuk mund të shihet si veprim i njëanshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Kosova sot ka zbatuar në plotësi marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të cilat Serbia i ka injoruar dhe po vazhdon të mos i zbatojë. Reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vet BE-ja", ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.

Sipas presidentes Osmani, Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 dhe që ka shkelur marrëveshjet e Brukselit e jo Kosova.

"Prandaj, strukturat ilegale serbe, të financuara e që marrin urdhra nga shteti i Serbisë, po ndërmarrin veprime jo vetëm në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit, por edhe që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e rajonit. Për më tepër, Serbia, sipas logjikës së pandryshuar të së kaluarës, po i shfrytëzon edhe institucionet shtetërore serbe për ta kërcënuar vendin tonë", shton Osmani.

Më tej, Osmani thekson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve është ndërmarrë si rezultat i përfundimit të marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve. Rrjedhimisht, shton Osmani, vendimi siguron trajtim të barabartë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Vendimi është pranuar dhe po zbatohet me përpikëri në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të dy pikave në veri, ku serbët lokalë, siç thekson Osmani, "po keqpërdoren nga qeveria serbe dhe strukturat ilegale atje".

Osmani i bën thirrje BE-së që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë që "të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës".

"Politika destabilizuese e Serbisë në Kosovë dhe në rajon dhe qëllimet e tyre hegjemoniste për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ janë rikthim në logjikën e tyre të viteve ’90, e cila ka sjellë shumë viktima në rajonin tonë", tha Osmani.

Sipas vendimit të fundit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të nënshkruar sot nga ministri Sveçla për rregullimin e kësaj çështjeje, për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Kosovës obligohet pajisja me targa të përkohshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.