BALLKANI

Osmani: Nuk ndjejmë që qasja pro-evropiane e Kosovës po vlerësohet nga BE-ja

Sipas presidentes Osmani, procesi i integrimit për Kosovën ka mbetur i bllokuar. Ajo theksoi se procesi i bazuar në merita, siç është proklamuar nga BE-ja, nuk po shihet të funksionojë për Kosovën

Agim Sulaj  | 14.11.2025 - Përdıtësım : 14.11.2025
Osmani: Nuk ndjejmë që qasja pro-evropiane e Kosovës po vlerësohet nga BE-ja Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se nuk ndjenë që Bashkimi Evropian (BE) po vlerëson progresin e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit të vendit në bllokun evropian, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për mediumin “Politico”, presidentja kosovare tha se Kosova “nuk ka flirtuar” kurrë me fuqi keqdashëse duke përmendur këtu Kinën, Rusinë dhe Iranin, por tha se ka qenë gjithmonë pro vlerave evropiane.

Sipas presidentes Osmani, procesi i integrimit për Kosovën ka mbetur i bllokuar. Ajo theksoi se procesi i bazuar në merita, siç është proklamuar nga BE-ja, nuk po shihet të funksionojë për Kosovën.

“Nuk e ndiejmë që kjo qasje pro-evropiane dhe fakti që ne jemi 100 për qind të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është parë ose vlerësuar. Përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë. 97 për qind e njerëzve të Kosovës janë pro-evropianë. Reformat tona në ekonomi, në sundim të ligjit, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar dhe duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka e së ardhmes. Unë ende nuk e shoh të ndodhë”, tha Osmani.

Ndërkohë, e pyetur për rolin e Gjermanisë në këtë proces, Osmani është shprehur optimiste se me Gjermaninë vendi i saj ka një mundësi të mirë të ecë përpara në integrimin evropian. Osmani tha se nëse Gjermania merr rol udhëheqës ajo shpreson në shtyrjen e një procesi të bazuar në meritë, sepse "Kosova nuk po kërkon bamirësi”.

“Nuk po kërkojmë rrugë të shkurtër. Po kërkojmë pikërisht respekt për punën që bëjmë dhe pranimin e reformave që ne ndërmarrim. Dhe nëse kjo do të merret parasysh, Kosova do të bëhej vendi udhëheqës. Por realiteti është se, tani për tani, aplikimi ynë as nuk është shqyrtuar. Ne aplikuam në dhjetor 2022 dhe tani jemi pothuajse në dhjetor 2025. Ai ndodhet diku në sirtarët e BE-së, por nuk po ecën përpara”, tha Osmani.

Presidentja kosovare theksoi se vendi i saj nuk duhet të shihet si barrë nga BE-ja, por si domosdoshmëri strategjike. Siç tha ajo, Ballkani Perëndimor i paqëndrueshëm dhe i pasigurt do të thotë një Evropë e paqëndrueshme dhe e pasigurt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.