BALLKANI

Osmani në Bruksel: Jemi përkrah BE-së, na lini të hyjmë brenda

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh”, tha Osmani duke kërkuar liberalizimin e vizave për kosovarët

Agim Sulaj   | 23.06.2022
Osmani në Bruksel: Jemi përkrah BE-së, na lini të hyjmë brenda Foto: Dursun Aydemir / AA

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj gjatë takimit të liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Osmani, siç njofton Presidenca ka thënë se nga liderët evropianë ka kërkuar vendosmëri për t’i lënë të lirë të lëvizin qytetarët kosovarë.

Ajo tha se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, “vërtetë ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit”, theksoi Osmani.

Presidentja kosovare tha se Kosova do të aplikojë këtë vit për t’u bërë anëtare e BE-së me shpresë që mbledhja e radhës së Këshillit Evropian ta mbështesë aplikimin.

Pavendosmëria e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor do të krijonte mundësi për Rusinë, sipas presidentes Osmani, ndërsa gjithashtu do të zhgënjente edhe qytetarët.

“Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj aktorëve dhe kërcënimeve malinje. Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë”, theksoi Osmani.

Osmani tha se Kosova nuk do të largohet kurrë nga rruga euro-atlantike e saj.

“Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na lini të hyjmë brenda”, përfundoi ajo.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë në samitin dyditor (23 dhe 24 qershor) për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın