BALLKANI

OBSH do të dërgojë komision për të vlerësuar kapacitetet e sistemit shëndetësor në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ka nevojë të ngritet më shumë vetëdija qytetare sa i përket seriozitetit në përballje me pandeminë e koronavirusit

Agim Sulaj  | 08.07.2020 - Përdıtësım : 09.07.2020
OBSH do të dërgojë komision për të vlerësuar kapacitetet e sistemit shëndetësor në Kosovë ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Pas mbledhjes së Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës Emergjente me COVID-19, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është konkluduar se ka nevojë që të rritet edhe më shumë vetëdija e qytetarëve për sa i përket seriozitetit në përballje me këtë virus, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së këtij komiteti, tha në një konferencë për media se për një gjë të tillë do të nisë së shpejti një fushatë masive për informimin sa më të detajshëm të masave mbrojtëse për ndalimin e përhapjes së koronavirusit. Ai përmendi edhe aktivizimin e Policisë së Kosovës, e cila, siç tha, “ka filluar edhe me dënimin e disa subjekteve që nuk kanë respektuar rregullat e qeverisë”.

“Po duket se ka nevojë shumë më tepër që të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës, sepse ka raste që qytetarët që janë testuar pozitivë nuk kanë qëndruar të izoluar. Prandaj, jemi duke shqyrtuar mundësinë që eventualisht, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të shikojmë se si mund t’i bëjmë të ditura rastet pozitive me COVID-19, në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit”, tha Hoti.

Ai theksoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) së shpejti do të sjellë një komision në Kosovë, për vëzhgimin dhe vlerësimin e situatës me koronavirus.

“OBSH-ja së shpejti do të dërgojë një komision për të vlerësuar kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor për t’u përballur në periudhë afatgjate me pandeminë dhe mirëpresim këtë komision bashkë me specialistët tanë shëndetësore, të nxjerrin rekomandimet e nevojshme për veprimet që duhet t’i bëjmë si institucione, si qeveri për të ndërtuar një sistem dhe për t’u siguruar se në rast se do të përkeqësohet situata, të jemi më të përgatitur”, tha Hoti.

Kryeministri kosovar theksoi se së fundi kanë filluar punën me intensitet më të lartë spitalet rajonale për të krijuar kapacitete shtesë, me shtretër, pajisje përcjellëse si dhe riorganizimin e kapaciteteve njerëzore për klinikat ku ka më së shumti nevojë për përballimin e situatës.

Takimi i kryeministrit me komitetin për situatën emergjente vjen pas rritjes së numrit të të vdekurve dhe të infektuarve me koronavirus në ditët e fundit në Kosovë.

Deri më tani, në nivel vendi, 3.886 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, nga të cilët 82 persona kanë vdekur dhe 2.003 janë shëruar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın