BALLKANI

"Në Shqipëri zbulohet një rrjet terrorist i drejtuar nga regjimi iranian"

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, konfirmoi se një rrjet terrorist, një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane është zbuluar së fundmi nga institucionet shqiptare

Fatjon Cuka  | 23.10.2019 - Përdıtësım : 24.10.2019
"Në Shqipëri zbulohet një rrjet terrorist i drejtuar nga regjimi iranian"

Tiranë

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka deklaruar se "një rrjet terrorist, i drejtuar nga regjimi iranian është zbuluar në Shqipëri", ndërsa sipas policisë "synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK)", transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, në një deklaratë për mediat, konfirmoi se një rrjet terrorist, një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane është zbuluar së fundmi nga institucionet shqiptare të sigurisë.

"Celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta", tha Veliu.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, theksoi se celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si Peyman, që sipas Veliut është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.

Sipas deklaratës, një nga këta operativë është Alireza Naghashzadeh, një iranian i cili është vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëron një pasaportë austriake, ndërsa shtohet më tej se Naghashzadeh u dërgua nga Peyman, "për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua."

"Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh Malek Zadeh, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale. Zadeh i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin ‘Ferhat’ ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të Peyman-it dhe të Forcave QUDS. Turgut, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge", theksoi më tej Veliu.

Në deklaratë thuhet se në vitin 2011, Turgut është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga "Arrest në burg" në "Arrest shtëpie".

Policia e Shqipërisë thekson më tej se autoritetet shqiptare i kanë identifikuar këta individë dhe informacioni i siguruar nga informatorë nga brenda organizatave kriminale i ka lejuar autoritetet shqiptare që të "parandalojnë planin e marsit 2018 dhe planifikimet eventuale për sulme nga figurat e krimit të organizuar që kishin si objektiv MEK-un për llogari të regjimit iranian."

Në deklaratë thuhet se Forcat QUDS janë krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps - Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) dhe theksohet se vepron përtej kufijve të Iranit. Gjithashtu shtohet më tej se Forcat QUDS drejtohen nga Qassem Soleimani, i cili është përgjegjës, mes të tjerash, për aktivitetin e Iranit në Jemen, Irak, Siri dhe Liban.

"Celula terroriste i përkiste, siç u përmend, njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS, një njësi operacionale e konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit. Brenda kësaj njësie, ka një nënnjësi që merret ekskluzivisht me organizatat që janë kundër regjimit", thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Kujtojmë se në vitet e fundit në koordinim me Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Shqipëria ka pritur për strehim mijëra anëtarë të MEK-ut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın