BALLKANI, Koronavirusi

"Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus"

Ministrja Manastirliu deklaroi sot se pas konfirmimit të koronavirusit në Itali në pikat kufitare të Shqipërisë janë shtuar masat e kontrollit dhe monitorimit ndaj koronavirusit

Fatjon Cuka  | 24.02.2020 - Përdıtësım : 26.02.2020
"Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus"

Tiranë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus të ri (Covid-19) dhe iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’ju referohen informacioneve zyrtare lidhur me situatën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ditës së sotme është mbledhur Task-forca për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen ndaj Covid-19, në sallën e emergjencave në Aeroportin e Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza", ku ministrja Manastirliu ka folur edhe në lidhje me masat që ka marrë Shqipëria.

Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Manastirliu deklaroi gjatë mbledhjes se pas konfirmimit të koronavirusit në Itali në pikat kufitare të Shqipërisë janë shtuar masat e kontrollit dhe monitorimit ndaj koronavirusit.

"Nuk është koha që paniku t’i zë vendin arsyes. Është koha të vlerësojmë dhe dëgjojmë ekspertët, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga task-forca dhe strukturat në qeverinë shqiptare. Kemi dyfishuar masat në aeroportin ‘Nënë Tereza’ dhe në pikat kufitare. Vetëm dje janë monitoruar më shumë se 4500 udhëtarë që kanë ardhur nga vendet me raste të koronavirusit, ku përfshihet dhe Italia. Sa i përket mbylljes së kufijve, do të vlerësohet rreziku dhe në bazë të tij do të përcaktohen masat", është shprehur Manastirliu.

Manastirliu ka deklaruar se sot ka firmosur urdhrin për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si dhe ka bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

Sipas njoftimit të ministrisë, aktualisht janë dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare, për të pasur kontroll të imtësishëm.

Ndërkohë pas njoftimit në uebfaqen e saj të një shkolle të mesme private se për t’u përgatitur psikologjikisht në rast të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit, ka vendosur të pezullojë procesin mësimor në ambientet e shkollës për një afat dyjavor, dhe vijimin e mësimit online, në rrjetet sociale ka reaguar ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, e cila ka konfirmuar se shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor vetëm me urdhër ministri.

Sipas saj, udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë, ndërsa ministrja Shahini shton se në kushte të "kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën".

"Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila nuk ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë", ka theksuar Shahini.

Numri i personave të prekur nga Covid-19 i cili u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës dhe më pas u përhap në të gjithë botën, ka tejkaluar shifrën 79.000.

Deri më tani nga koronavirusi në Kinë kanë humbur jetën 2.592, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin emergjencë shëndetësore ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın