BALLKANI

Një vit pas tarifës ndaj Serbisë, Kosova ka rënie të importit për rreth 50 milionë ton

"Sot Kosova në listën e top vendeve për shkëmbim tregtar i ka të gjitha vendet që janë vende mike të Kosovës", tha drejtori i KPK-së, Astrit Panxha

Agim Sulaj  | 22.01.2020 - Përdıtësım : 23.01.2020
Një vit pas tarifës ndaj Serbisë, Kosova ka rënie të importit për rreth 50 milionë ton ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) ka organizuar sot diskutim mbi efektet në ekonominë e vendit në industrinë e prodhimit pas vendosjes së tarifës prej 100 për qind për mallrat serbe që hynë në Kosovë, një vit pas vendosjes së kësaj tarife, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se për herë të parë që nga paslufta e vitit 1999 kemi ulje të vëllimit të importit, që nënkupton që një pjesë e këtij vëllimi është zëvendësuar me prodhim vendor.

Panxha tha se ka rritje të importit të makinerisë për prodhim, rritje të kreditimit në sektorin e prodhimit, ndërsa nga nëntori 2018 deri në nëntor 2019 të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës ai tha se tregojnë që ka ulje në kreditimin në tregti “që është edhe kjo një dukuri që nuk ka ndodhur më herët”.

“Gjithmonë është debatuar se Kosova është e varur nga Serbia dhe nuk do të mbijeton pa Serbinë. Në fakt është treguar e kundërta. Sot Kosova në listën e top vendeve për shkëmbim tregtar i ka të gjitha vendet që janë vende mike të Kosovës, vende që e kanë njohur Kosovën dhe vende të cilat janë strategjikisht të lidhura me objektivat e shtetit të Kosovës. Nuk ka pasur mungesë të produkteve, nuk ka pasur trazira sociale, nuk ka pasur rritje drastike të çmimeve”, tha Panxha.

Analisti i Politikave në Klubin e Prodhuesve, Besart Zhuja tha se tarifa ka pasur ndikim pozitiv në ekonominë kosovare. Ai tha se një vit pas kësaj tarife ka rënie të vëllimit të importit. Por, rritja më e madhe në krahasim me sektorët e tjerë, sipas Zhujës, ka ndodhur në numrin e punëtorëve në vend.

“Ka një rënie të vëllimit të importit për 50 milionë ton, në dallim prej vitit paraprak, që do të thotë se është krijuar një hapësirë më e madhe për prodhuesit vendorë që ta mbushin këtë boshllëk”, tha Zhuja.

Ai theksoi se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nëse krahasohet tremujori i tretë i vitit 2018 (fundi kur u vendos tarifa) dhe tremujorin e tretë të vitit 2019, “shohim një rritje konstante të punëtorëve në sektorin e prodhimit. Pra, ka një rritje prej 11.500 punëtorë në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2018”.

Sipas një ankete të cilën e ka bërë KPK me 1463 qytetarë në Kosovë, shumica dërmuese e qytetarëve kanë thënë se “vendosja e tarifës ndaj produkteve serbe ka qenë e duhur”.

Ndërsa, në pyetjen se përse ka qenë e duhur kjo tarifë, ata kanë thënë se ka qenë e dobishme “për arsye politike, por edhe arsyetimi që të rritet konsumimi i prodhimeve vendore”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.