BALLKANI

Një delegacion ekonomik i qytetit turk Zile vizitë në Maqedoninë e Veriut

Gjatë vizitës dy ditore biznesmenët e qytetit Zile, do të takohen me biznesmenët e Maqedonisë së Veriut me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit në sferën e bujqësisë

Husamedin Gina  | 14.10.2019 - Përdıtësım : 15.10.2019
Një delegacion ekonomik i qytetit turk Zile vizitë në Maqedoninë e Veriut Foto: Husamedin Gina/AA

Shkup

Një delegacion ekonomik nga qyteti turk Zile, nga provinca Tokat në rajonin e Detit të Zi, i përbërë nga prodhues dhe tregtarë me makina bujqësore dhe prodhime bujqësore, sot vizitoi Odën Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO), raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës dy ditore biznesmenët e qytetit Zile, do të takohen me biznesmenët e Maqedonisë së Veriut me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit në sferën e bujqësisë.

Në takimin e sotëm që u mbajt në hapësirat e MATTO-s, mori pjesë edhe Oğuzhan Berber, kryekëshilltari për marrëdhënie tregtare në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Shkup.

Kryetari i këshillit drejtues të Odës ekonomike dhe industriale të qytetit Zile, Necati Bice në deklaratë për mediat theksoi se qëllimi i vizitës është që të rritet tregtia me Maqedoninë e Veriut dhe se për këtë ka potencial serioz.

"Prioritet i vizitës tonë në Maqedoninë (e Veriut) është si të rritet tregtia e vazhdueshme me traktorë, dhe si ta kryejmë ne drejtpërdrejt. Po ashtu si ta rrisim tregtinë e anëtarëve tjerë tonë nga sfera e bujqësisë, makinave bujqësore, nga sektori i ushqimit dhe makinave për prodhimin e produkteve ushqimore. Meqë pame se në Maqedoninë (e Veriut) ka potencial serioz, ndërsa po ashtu kemi rrënjë të përbashkëta nga e kaluara dhe kulturë të përbashkët", tha Necati Bice.

Zëvendës-kryetari i MATTO-s, Imer Selmani duke theksuar se Turqia ka bujqësi të zhvilluar tha se takimi i sotëm është një mundësi e mirë për zhvillimin e bashkëpunimit mes kompanive turke dhe maqedonase që punojnë në sferën e bujqësisë.

"Ne të gjithë e dimë se në Republikën e Maqedonisë (së Veriut) ka potencial në bujqësi që për fat të keq nuk është deri në fund i shfrytëzuar ashtu siç duhet shfrytëzuar, ndërsa nga ana tjetër e dimë se Republika e Turqisë ka bujqësi të zhvilluar, ka mekanizim bujqësor shumë të mirë", tha Selmani, duke shtuar se takimi sotëm është një mundësi e mirë për zhvillimin e bashkëpunimit mes bujqve dhe kompanive, jo vetëm në pjesën e shitjes por edhe në pjesën e prodhimtarisë së përbashkët dhe plasimin në vendet e treta.

Pas vizitës në Maqedoni e Veriut, biznesmenët do ta vizitojnë Malin e Zi.

Bujqësia, blegtoria dhe tregtia janë aktivitetet kryesore ekonomike në Zile, që është qendër e prodhimit të drithërave dhe është një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit, elbit, thjerrëzave në rajonin e Detit të Zi.

Zile është i njohur edhe për prodhimin e rrushit, qiqrave, qershive dhe frutave të tjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın