jeta, BALLKANI

Një fluturim me gruan e vetme kapiten pilote të Boing 737 në Maqedoninë e Veriut

“Pa asnjë mendjemadhësi mund të them se kam zyrën më të bukur në botë. Kam një zyrë 10.000 metra larg. Më kënaq lindja e diellit", thotë Kajstorovska

14.05.2022
Një fluturim me gruan e vetme kapiten pilote të Boing 737 në Maqedoninë e Veriut Foto: Edıta Zekjırovıkj - AA

Shkup

Edita Zekjırovıkj

Edhe pse aviacioni konsiderohet si një industri ku dominojnë meshkujt, ndërsa statistikat e fundit nga Instituti i Pilotëve (pilotinstitute) e vërtetojnë këtë, ende një numër i vogël prej 9.02 për qind e piloteve gra fluturojnë me guxim drejt cakut duke shpresuar të përmbushin ëndrrën e tyre, duke fluturuar në qiellin e “trazuar” plot sfida, paragjykime dhe vështirësi.

Në këtë përqindje të vogël të grave pilote në botë përfshihet edhe Katerina Kajstorovska (47) nga Maqedonia e Veriut.

Kajstorovska së bashku me ekipin e Anadolu Agency (AA) fluturoi mbi Shkup me një avion të vogël, me të cilin filloi shkollimin, duke kujtuar fillimet dhe duke treguar për realizimin e ëndrrës së saj të fëmijërisë, këmbënguljen gjatë shkollimit për t'u bërë pilote si dhe trajnimin për “Boeing 737” në Stokholm, Suedi.

“Unë jam Katerina Kajstorovska, e vetmja grua kapitene pilot dhe instruktore e Boeing 737 në Maqedoninë e Veriut. Kam shumë vite që fluturoj. E kam pasur pasion fluturimin që kur kam qenë shumë e vogël. Fillova të fluturoj në moshën 15-vjeç e gjysmë, kur babai më dërgoi në Akademinë e Pilotëve në Vërshac, ku pata fatin ta përfundoj”, tha Kajstorovska.

- Turbulenca gjatë ngritjes në qiell

Procesi i shkollimit për pilote të Kajstorovskës zgjati shumë dhe u zhvillua në faza për shkak të rrethanave të kohës. Pengesa e parë ishte përpjekja për t'u regjistruar në një shkollë të mesme në Akademinë e Pilotëve në Rajlovac (Bosnjë e Hercegovinë) dhe zbulimi se atë vit nuk pranonin gra që të trajnoheshin për t'u bërë pilotë.

“Jeta vazhdoi, më tej unë u regjistrova në shkollën e mesme dhe një pasdite babai im erdhi me gazetën 'Politika Express' dhe më pyeti: 'Kate, a e ke ende idenë të bëhesh pilote? Unë thashë: 'Po, sigurisht'. 'Pastaj kam lexuar se femrat e viteve ’90-ta lejohen të jenë pjesë e shkollës së pilotëve Jat, e cila është ndër më të mirat në botë'”, tha Kajstorovska.

Asaj iu desh të linte shkollën disa herë për shkak të luftërave në Ballkan, si dhe sfidës për sigurimin e fondeve të mjaftueshme për shkollimin e saj, por asnjë ngjarje nuk e ka lëkundur në vendimin e saj për të vazhduar luftën për të arritur qëllimin.

- Zyra me e bukur në botë

Kajstorovska thotë se të fluturosh për të është pasion, dashuri, ndjenjë e lirisë së plotë.

“Pa asnjë mendjemadhësi mund të them se kam zyrën më të bukur në botë. Kam një zyrë 10.000 metra larg. Më kënaq lindja e diellit", thotë Kajstorovska.

Në vitet e gjata të kaluara në qiell, ajo thotë se ka përjetuar ngjarje interesante, ka fluturuar shumë kilometra dhe ka arritur në destinacione të panumërta, por fluturimi më i bukur do të mbetet përgjithmonë fluturimi i parë.

“Kur fluturova vetëm për herë të parë dhe kur arrita një lartësi në rrethin e shkollës, fillova të këndoja, të qeshja, të qaja, një eufori pozitive, isha e kuqe si lulëkuqe. Mendoj se në atë moment në moshën 15-vjeç e gjysmë as që isha në dijeni se çfarë kisha bërë në jetë. Ky është fluturimi im më i mirë", tha Kajstorovska.

Është veçanërisht e lumtur që si pilote i përmbushi objektivat që kishte vendosur dhe fitoi disa tituj në aviacion dhe si moment të paharrueshëm veçon momentin kur i ka ardhur një e-mail për trajnim të mundësuar, për siç thotë ajo “Boeingut të ëndrrave”.

"Jeni zgjedhur të jeni pjesë e Qatar Airways dhe ju ofrohet të sponsorizoheni për trajnim të Boeing 777”... Këto janë momente që nuk do të harrohen kurrë në jetë", tha Kajstorovska.

- Jeta e një pilote femër

Kajstorovska thotë se jeta e një gruaje pilote nuk është aspak e lehtë, ajo është e mbushur me shumë paragjykime, diskriminime dhe mosbesim, por se e gjithë kjo është një motiv tjetër që të jetë edhe më e suksesshme dhe të luftojë si paraardhësit e saj Sabiha Gjokchen dhe Amelia Earhart.

“Profesioni është ky, nuk ka dallime, e vetmja gjë që do të thoja është se gratë paguajnë tatim shumë më të lartë sa i përket jetës private”, tha Kajstorovska.

Ajo u dërgoi një mesazh brezave të rinj se suksesi në çdo profesion është një rrugë e gjatë me shumë sfida dhe pengesa, por se asgjë nuk është e pamundur nëse dashurohet mjaftueshëm, madje as qielli nuk është kufiri.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın