BALLKANI

Një delegacion i lartë i ushtrisë italiane për vizitë në Maqedoninë e Veriut

Vecciarelli zhvilloi takime të ndara me homologun e tij, Gjurçinovski dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pas çka pasuan bisedimet zyrtare në prani të delegacioneve të Shtabeve të Përgjithshëm të të dy vendeve

Husamedin Gina   | 18.02.2020
Një delegacion i lartë i ushtrisë italiane për vizitë në Maqedoninë e Veriut

Shkup

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Italisë, Enzo Vecciarelli, me ftesë të homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Vasko Gjurçinovski, qëndron për vizitë zyrtare dy-ditore në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Vecciarelli, i cili u prit me nderime të larta ushtarake para godinës së Ministrisë së Mbrojtjes, zhvilloi takime të ndara me homologun e tij, Gjurçinovski dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pas çka pasuan bisedimet zyrtare në prani të delegacioneve të Shtabeve të Përgjithshëm të të dy vendeve.

Sipas njoftimit nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, në takimin Gjurçinovski-Vecciarelli përveç prezantimit të proceseve që zhvillohen në ushtri temë e bisedimeve ishin edhe proceset e integrimit dhe standardizimit pas anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe u diskutuan po ashtu mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ushtarak dhe pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse.

"Gjatë bisedimeve zyrtare, gjenerali Gjurçinovski shprehu mirënjohje për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme që vjen në një moment të rëndësishëm për ne, kur presim anëtarësimin e plotë në NATO dhe kur me intensitet të plotë zbatohet procesi i transformimit të ushtrisë sonë me qëllim integrimin e plotë në strukturën e NATO-s", theksohet në njoftim.

Vecciarelli, nga ana e tij, shprehu besim se Maqedonia e Veriut do të luajë një rol të rëndësishëm për sigurinë e rajonit dhe më gjerë.

"Vizita e nivelit më të lartë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Italisë, e cila është ndër vendet më të mëdha dhe më me ndikim të NATO në Evropë, përveç përforcimit të marrëdhënieve të ndërsjellta në planin ushtarak, paraqet një shprehje të besimit dhe të njohjes për standardet e arritura të trajnimit dhe ndërveprimit të Maqedonisë së Veriut me ushtrinë e vendeve anëtare të NATO-s", theksohet në njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm.

Pas takimeve në Shtabin e Përgjithshëm dhe zyrës ndërlidhëse të NATO-s, gjenerali Vecciarelli i shoqërua nga gjenerali Gjurçinovski u takua me presidentin dhe komandantin suprem të Forcave të Armatosura të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.