BALLKANI

Niset për në haxh grupi i dytë i besimtarëve muslimanë nga Kosova

Udhëheqësi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Faruk Ukallo tha se janë 81 haxhilerë nga Prizreni që po udhëtojnë drejt kryerjes së shtyllës së pestë të Islamit, haxhit

Agim Sulaj  | 29.06.2022 - Përdıtësım : 29.06.2022
Niset për në haxh grupi i dytë i besimtarëve muslimanë nga Kosova Foto: Erkin Keçi - AA

Prishtinë

Grupi i dytë i besimtarëve muslimanë është nisur sot në orët e para të mëngjesit drejt vendeve të shenjta të besimit Islam, në Mekë dhe Medine të Arabisë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).

Grupi i dytë i haxhilerëve që u nisën një ditë pas grupit të parë, ka qenë nga Prizreni me rrethinë.

Udhëheqësi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Faruk Ukallo tha se janë 81 haxhilerë nga Prizreni që po udhëtojnë drejt kryerjes së shtyllës së pestë të Islamit, haxhit.

36 vjeçari nga Prizreni, Senat Haliti, i cili jeton në Berlin të Gjermanisë, shpenzimet e haxhit thotë se i ka të hequra nga shefi i tij ku punon si arkitekt në Gjermani, ndërsa ai ka vendosur që t’i mbulojë shpenzimet e haxhit për prindërit e tij, bashkë me të cilët ka marrë këtë rrugëtim.

“Kam bërë gjithçfarë udhëtimesh me vjetët që kam dhe po e diskutonim me bashkëpunëtorë në zyrë dhe thash se më ka mbetur vetëm edhe një udhëtim shpirtëror i cili është haxhi dhe nuk po e di a është momenti tash dhe përgjigjja ishte ‘po është’. Atëherë thash se nëse është ashtu po e shndërroj në nijet dhe po mësyj të shkoj pastaj u interesuam për procedura dhe nëse ka vende të lira. Me pak peripeti arritëm t’i siguronim vendet dhe mësova prej kësaj periudhe se për haxh duhet të jesh i thirrur dhe në këtë rast kishim pasur thirrje edhe ne prej Krijuesit dhe inshallah do të shkojmë dhe kthehemi si është më mirë”, theksoi ai.

Lulzim Susuri, imam nga Prizreni ka qenë gjatë studimeve islame ka qenë shtatë herë ndërsa pas studimeve, me udhëtimin e sotëm, do ta bëjë për të 10-tën herë haxhin, këtë herë ai po shkon ndërmjetës apo “bedel”.

“Po shkoj (bedel) për një xhemat timin të fshatit Dobrusht, për Hamziun (Allahu e mëshiroftë) i cili në moshën 38-vjeçare, para një muajsh, ka vdekur nga kanceri. Ma ka lënë amanet për së gjalli që të shkoj për të në haxh”, theksoi Susuri për AA.

Megjithëse po shkon për të 10-tën herë në haxh, Susuri thotë se “ndjehem sikur nuk kam qenë kurrë për shkak të mallit që e kam dhe e gjej veten sikur të jem në shtëpinë time”, ndërsa motivin për ta marrë këtë rrugë thotë se e gjen tek shpërblimi i shumëfishtë që ka namazi në vendet e shenjta në kohën e haxhit.

Grupi i parë i besimtarëve muslimanë nga Prishtina me rrethinë u nisën të martën në mëngjes për ta kryer haxhin derisa Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar se ata arritën mirë në qytetin e shenjtë të Mekës.

Këtë vit nga Kosova pritet që haxhin ta kryejnë gjithsej 741 besimtarë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın