BALLKANI

Nikolla: Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë tha se Presidenti Erdoğan është një mik i nderuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe një mik në ditë të mira, por edhe një mik i vyer në ditë të vështira

Fatjon Cuka   | 17.01.2022
Nikolla: Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO Foto: Murat Çetinmühürdar/AA

Tiranë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, mbajti një fjalë përshëndetëse në seancën parlamentare ku mbajti fjalim presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO dhe në përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin, sigurinë dhe fqinjësinë e mirë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nikolla tha se Presidenti Erdoğan është një mik i nderuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe një mik në ditë të mira, por edhe një mik i vyer në ditë të vështira.

"Presidenti Erdoğan, para se të vinte në këtë sallë, ishte sot edhe mes banorëve të Kurbinit, për të inauguruar dhe dorëzuar familjeve të dëmtuara nga tërmeti 522 apartamentet e ndërtuara me financime të Qeverisë së Turqisë, në një bllok i ri banimi, një xhevahir urban në qendër të Laçit, i ndërtuar me financime të Qeverisë së Turqisë. Ky kontribut i çmuar nuk është i vetmi. Spitali rajonal i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, dhe që ka nisur prej muajsh t’u shërbejë qytetarëve të Fierit e më gjerë, është një tjetër dhuratë e Turqisë mike dhe e Presidentit mik Erdoğan", theksoi ajo.

Nikolla tha se solidarizimi e mbështetja në ditët e vështira të tërmetit dhe të pandemisë reflektojnë më së miri marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis popujve.

"Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO dhe në përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin, sigurinë, fqinjësinë e mirë, paqen, stabilitetin në rajon, kontinent e më gjerë. 'Deklarata e Përbashkët Politike' i ngriti marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik dhe hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet midis vendeve tona. Në këto zhvillime është, padyshim, kontributi politik dhe personal i Presidentit Erdoğan për të cilën gjej rastin të shpreh mirënjohjen e thellë të Kuvendit të Shqipërisë", u shpreh Nikolla.

Kryeparlamentarja e Shqipërisë ndër të tjera tha se Shqipëria do të vijojë të punojë për forcimin e miqësisë, bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik me Turqinë, sipas saj "në të mirë të zhvillimit, paqes dhe sigurisë, në rajon dhe më gjerë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın