BALLKANI

MPJ e Maqedonisë së Veriut përgatitet për transportim të viktimave nga Bullgaria

Kryediplomati Osmani tha se një grup pune në MPJ përgatit plan për koordinim në lidhje me transportimin dinjitoz të kufomave të viktimave nga aksidenti tragjik në Bullgari

Abdula Berisha  | 26.11.2021 - Përdıtësım : 27.11.2021
MPJ e Maqedonisë së Veriut përgatitet për transportim të viktimave nga Bullgaria Foto: AA/Arkiv

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, si dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, ku kanë ndarë informata rreth incidentit me autobusin me targa të Shkupit i cili u aksidentua më 23 nëntor pranë fshatit Bosnek në afërsi të qytetit Pernik në Bullgari, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat dhanë më shumë detaje rreth përkujdesjes për personat e mbijetuar, sjelljen e kufomave të atyre që humbën jetë, si dhe aspekte tjera në lidhje me hetimet për aksidentin tragjik në të cilin sipas informatave të fundit që sot i publikoi zv/kryeprokurori Publik dhe drejtor i Shërbimit Hetimor Kombëtar të Bullgarisë, Borislav Sarafov, 45 persona humbën jetën dhe 7 janë plagosur.

Ministri Osmani theksoi se të plagosurit janë pranuar në spitalin "Pirogov" në Sofje dhe janë në gjendje stabile shëndetësore, duke shtuar se prej nesër do të lëshohen dy prej tyre, për të cilët Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër të sigurojë transportin deri në Maqedoninë e Veriut dhe përkujdesjen e mëtejme shëndetësore.

Gjithashtu ai tha se edhe të plagosurit e tjerë do të sillen në ditët në vijim, varësisht nga gjendja e tyre shëndetësore dhe vendimet e stafit mjekësor bullgar.

Osmani gjithashtu informoi se një grup pune në MPJ përgatit plan për koordinim për transport dinjitoz të kufomave të viktimave sipas udhëzimeve qeveritare, duke shtuar se të gjitha harxhimet e transportit dhe varrimit të tyre do të mbulohen nga Qeveria.

Ministri i Jashtëm po ashtu tha se Ambasada e Maqedonisë së Veriut po mbledh informatat për kapacitetet e transportit me të cilat disponojnë kompani nga Sofja dhe Shkupi dhe se do të organizohet transport i organizuar në bashkëpunim dhe komunikim me familjarët e viktimave.

Ministri i Brendshëm, Spasovski, duke transmetuar të dhënat e prokurorisë bullgare, tha se në autobus ndodheshin 52 persona, prej të cilëve 45 kanë humbur jetën dhe 7 kanë arritur të shpëtojnë.

Spasovski sqaroi se përpos pasaportës që u kërkohet udhëtarëve, zyrtarët policor kontrollojnë edhe lejen e qarkullimit dhe kartonin e gjelbër të automjetit. Kontrollimi i licencës për transport të autobusëve në vendkalimet kufitare, theksoi ai, është përgjegjësi e Drejtorisë së Doganave dhe Inspektoratit Shtetëror të Transportit.

Duke shpalosur informata rreth autobusit të aksidentuar, ai tha se këtë vit i njëjti autobus ka kryer 113 kalime kufitare. Autobusi është prodhuar në vitin 2007, në Shkup për herë të parë është regjistruar më 15.10.2020, ndërsa kontrollin e fundit teknik e ka kryer më 05.10.2021, ku nuk janë konstatuar mangësi teknike.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, informoi se autobusi i aksidentuar nuk është paraqitur në bazën e vetme elektronike të ministrisë nga ana e pronarit, duke shtuar se ky autobus nuk ka pasur as certifikatë të licencës që jepet për çdo autobus veçmas. Kompania transportuese, siç theksoi ministri Boçvarski, gjatë daljes nga shteti ka përdorur certifikatë të një autobusi tjetër, në kundërshtim me ligjet.

Për këtë arsye, ai theksoi se ministria ia ka marrë licencën kompanisë përkatëse, duke shtuar se i gjithë dokumentacioni për kompaninë në fjalë i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.