BALLKANI

Miratohet komisioni hetimor mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta

Komisioni hetimor i Kuvendit të Shqipërisë do të shqyrtojë provat e paraqitura në kërkesë dhe do të hartojë raportin përfundimtar që miratohet në seancë parlamentare

Fatjon Cuka   | 07.05.2021
Miratohet komisioni hetimor mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e komisionit hetimor parlamentar mbi kërkesën e deputetëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni i cili u miratua me 97 vota pro, 6 kundër dhe një abstenim, do të shqyrtojë provat e paraqitura në kërkesë dhe do të hartojë raportin përfundimtar që miratohet në seancë parlamentare.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalën e tij në seancën parlamentare tha se nuk po kërkojnë shkarkimin e presidentit Meta sepse kanë një interes specifik, por sipas tij "procedura për shkarkimin e Ilir Metës është një detyrim sa moral aq edhe kushtetues".

"Ne jemi të bindur në argumentet tona se presidenti i Republikës gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 ka shkelur rëndë dhe në mënyrë tepër flagrante kushtetutën, ka cenuar ndjeshëm besueshmërinë e qytetarëve në rolin e kreut të shtetit dhe nuk ka ushtruar detyrën e tij sikurse ajo përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë", tha Balla.

Balla theksoi se Meta në detyrën e presidentit të Shqipërisë ka humbur rolin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar. "Me mesazhet e tij drejtuar publikut në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka treguar se linja e tij politike është e qartë kundër maxhorancës në pushtet dhe popullit që e mbështet atë moxhorancë", theksoi më tej Balla.

Reagon Presidenca e Shqipërisë

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Tedi Blushi, këshilltari për mediat dhe zëdhënësi i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta tha se "Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit një partiak në detyrë".

"Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton vëmendje dhe është nul", u shpreh Blushi.

Procedura parlamentare për shqyrtimin e kërkesës për shkarkim

Partia Socialiste e Shqipërisë disa ditë më parë ka iniciuar një kërkesë për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, me argumentin se përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit "ka kryer veprime në kundërshtim me kushtetutën".

Pas përfundimit të punës nga komisioni hetimor parlamentar në fund të procedurës parlamentare bëhet votimi në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.

Propozimi për shkarkimin e presidentit duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (Kuvendi i Shqipërisë sipas kushtetutës ka 140 deputetë, ndërsa aktualisht ka 122).

Më pas, vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të vendit, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Kjo është nisma e dytë që ndërmerr Partia Socialiste për shkarkimin e presidentit Meta. Në korrik të vitit 2020, Kuvendi nuk vendosi për shkarkimin e presidentit Meta, pas kërkesës së Partisë Socialiste, për kontrollin e ligjshmërisë për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor 2019 dhe veprimeve dhe procedurës të ndjekur në kuadër të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se Meta u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij sipas kushtetutës përfundon në korrik të vitit 2022.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın