Shëndetësi, BALLKANI

Ministrja Manastirliu: Gjendja në spitalin e Krujës është nën kontroll

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ministrja Manastirliu konfirmoi se sot janë rreth 14 persona të shtruar në spitalin e Krujës

Fatjon Cuka   | 27.10.2021
Ministrja Manastirliu: Gjendja në spitalin e Krujës është nën kontroll Foto: Arkiv / AA

Tiranë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, në lidhje me situatën në spitalin e Krujës pas dyshimeve për helmimin e qindra qytetarëve, tha se gjendja është nën kontroll, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ministrja Manastirliu konfirmoi se sot janë rreth 14 persona të shtruar.

"Dua të theksoj faktin se tashmë në spitalin e Krujës gjendja është e kontrolluar. Ditën e sotme janë rreth 14 qytetarë, përfshirë këtu edhe fëmijë dhe adoleshentë që janë duke marrë shërbimin shëndetësor pranë spitalit të Krujës, por gjendja ka qenë nën kontroll. Shërbimi i spitalit të Krujës ka qenë i plotë, në gatishmëri për të përballuar flukse nëse do të kishte. Fatmirësisht fluksi ka ardhur në rënie", tha Manastirliu.

Ajo theksoi se janë ende në pritje nga institucionet shëndetësore të përgjigjeve të analizave bakteriologjike në funksion të pistave të hetimit.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë ka njoftuar se në lidhje me këtë ngjarje, në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë ka nisur hetimet kryesisht për veprën penale "Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës".

Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit qindra qytetarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Spitalin Klinik të Krujës "Dr. Stefan Gjoni", pas dyshimeve se mund të jenë helmuar nga uji i pijshëm.

Sipas institucioneve shëndetësore, ekspertët janë duke bërë hetime në të gjitha pistat, për të zbuluar shkaqet që kanë sjellë problemet shëndetësore të qytetarëve.

Ndërkohë, qytetarët e Krujës shprehen se dyshojnë se problemet shëndetësore mund jenë shkaktuar nga uji i pijshëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın