BALLKANI

Ministri turk Pakdemirli vizitoi Velesin, qytetin e paraardhësve të tij

"Pothuajse 100 vjet më parë, gjyshi im, së bashku me babanë e nënës sime, u larguan nga ky vend për të shpëtuar jetën dhe pronën e tij dhe u vendosën në mëmëdheun e tyre", tha Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë i Turqisë, Bekir Pakdemirli

Furkan Abdula   | 28.02.2021
Ministri turk Pakdemirli vizitoi Velesin, qytetin e paraardhësve të tij ( Furkan Abdula - Anadolu Agency )

Veles

Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë i Republikës së Turqisë, Bekir Pakdemirli, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, qëndroi edhe në qytetin e Velesit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pakdemirli dhe delegacioni i përbërë nga Ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök dhe Kryekëshilltari i Presidencës Turke, Sabri Demir, u pritën nga Kryetari i Komunës së Velesit, Ace Kocevski.

Ministri Pakdemirli vizitoi statujën e Mustafa Kemal Ataturkut në Veles, ndërsa pastaj u ngjit në Kullën e Sahatit për të shikuar qytetin.

Në deklaratën e tij për AA-në, Pakdemirli tha se gjatë vizitës së tij në vendet e Ballkanit, ai ishte në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut.

"Sot jemi këtu në tokën e paraardhësve tanë, në Köprülü, ose me emrin e ri Veles. Ne pamë Velesin nga kulla e ndërtuar në shekullin e 17-të. Ne pamë kodrat përballë ku jetonin të parët tanë. Pothuajse 100 vjet më parë, gjyshi im, së bashku me babanë e nënës sime, u larguan nga ky vend për të shpëtuar jetën dhe pronën e tij dhe u vendosën në mëmëdheun e tyre", tha Pakdemirli.

Duke kujtuar se migrimet e këtilla ndodhën nga vendet e Ballkanit dhe republikat turke gjatë shekullit të 20-të, Pakdemirli theksoi:

“Migrimi sigurisht që lë një traumë shumë të rëndësishme në familje. E di nga gjyshja ime që trauma e këtij migrimi nuk mund të tejkalohet për shumë vite në familjen tonë".

"Të mos ketë migrim të detyruar"

Ministri turk Pakdemirli theksoi se është jashtëzakonisht e gabuar t'i detyrosh njerëzit të largohen nga atdheu i tyre për shkak të feve, gjuhëve, racave, kulturave dhe mendimeve të ndryshme.

"Në fakt, unë shoh që osmanët kanë mbetur një nga shtetet dhe perandoritë më të mëdha në botë për gjashtë shekuj, sepse ata nuk e kanë bërë këtë në asnjë vend që kanë qeverisur. Tani këshilla ime për njerëzimin është që të mos ketë migrim të detyruar, njerëzit nuk duhet të largohen nga vendet e tyre. Ata që duan të largohen le të largohen, por mendoj se nuk duhet të ketë migrim të detyruar. Sigurisht, tani jam shumë i emocionuar që jam këtu", tha Pakdemirli.

"Multikulturalizmi është një trashëgimi e rëndësishme e periudhës osmane"

Duke theksuar se populli i Sirisë po përjeton të njëjtën dramë sot, Pakdemirli tha se ka shumë gjëra që mund të shërbejnë si shembull nga osmanët.

"Multikulturalizmi është një trashëgimi e rëndësishme e periudhës osmane. Shteti i sapoformuar i SHBA-së ishin në gjendje të mbronin këtë trashëgimi të lënë nga osmanët dhe arritën deri në këtë gjendje. Por ka shumë gjëra që mund të shërbejnë si shembull nga osmanët. Kur Amerika u themelua u frymëzua nga Sulejmani i Madhërishëm dhe shumë sulltanë të tjerë. Me fjalë të tjera, qasja jonë e dhembshur ndaj njerëzve këtu dhe toleranca jonë për ta është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet të jetë një shembull për të gjithë botën", tha Pakdemirli.

Ai theksoi se po të kishin ndjekur osmanët një politikë asimilimi, vendo tani do të ishte shumë më i ndryshëm.

"Nëse osmanët do të sundonin këtu dhe do të vepronin si vendet e tjera, duke ndjekur një politikë asimilimi, nuk do të kishte mbetur vëllezër shqiptarë, as vëllezër maqedonas, ky vend do të ishte asimiluar plotësisht në turq dhe do të kishte qenë një vend shumë më i ndryshëm. Por ne kurrë nuk e kemi konsideruar dhe nuk do ta konsiderojmë asimilimin si të mirë", shtoi Pakdemirli.

Ai iu referua investimeve të rëndësishme të Turqisë në këto troje.

“Sidomos në 20 vitet e fundit, me përpjekjet e mëdha të presidentit tonë, janë bërë investime shumë të rëndësishme në drejtim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të kësaj zone. Janë bërë gjëra shumë të rëndësishme në drejtim të restaurimit të monumenteve historike dhe ruajtjes së pranisë turke këtu. Sigurisht, jo vetëm për vazhdimin e ekzistencës turke, ne të gjithë vendet e Ballkanit, si një perspektivë të përgjithshme i shohim si miq dhe vëllezër, pavarësisht nga feja, raca dhe kombi i tyre. Ne, si një vend-vëlla i madh, vizituam tre shtetet, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut. Ne mendojmë se duhet t'i zgjidhim problemet e tyre brenda aftësive tona dhe ne filluam t'i zgjidhim ato", tha Pakdemirli.

Ai gjithashtu u shpreh se Turqia synon të ndihmojë vendet e Ballkanit pa ndonjë interes.

"Sigurisht, problemet e njerëzve janë shumë më të vogla krahasuar me problemet tona si për sa i përket popullsisë së tyre, ashtu edhe për nga struktura e të ardhurave. Ne i shohim ata si një vëlla më i madh dhe pa ndonjë interes. Ne duhet të bëjmë gjithçka për t'i bërë ata të ndiejnë se jemi me ta dhe që zemra jonë rrahë me ta. Këtë edhe po përpiqemi ta bëjmë"", i shpreh Pakdemirli.

Në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, ministri turk Pakdemirli gjithashtu vizitoi fabrikën "Sutash".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın