BALLKANI

Ministri saudit për Çështjet Islame vizitë në Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla kanë pritur në takim ministrin saudit, ndërkohë në fokus të diskutimeve gjatë takimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në disa fusha

Fatjon Cuka   | 26.10.2021
Ministri saudit për Çështjet Islame vizitë në Shqipëri Foto: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Ministri i Çështjeve Islame në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Abdullatif bin Abdulaziz bin Abdulrrahman al Shaikh, po realizon një vizitë disa ditore në Shqipëri, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla kanë pritur në takim ministrin saudit, ndërkohë në fokus të diskutimeve gjatë takimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në disa fusha.

"Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona dhe shprehu dëshirën për t’i forcuar më tej ato, sidomos në aspektin ekonomik e tregtar", thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se Nikolla shprehu mirënjohjen për ndihmën humanitare që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, sidomos për përballimin e pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19.

"Gjatë takimit u diskutua mbi zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira midis të dy vendeve dhe u shpreh vullneti i të dy palëve për t'i avancuar ato, veçanërisht në fushën e ekonomisë, investimeve, shkëmbimeve tregtare, turizmit dhe në të gjitha fushat e përfitimit të ndërsjellë të qytetarëve e vendeve tona", theksohet në njoftim.

Më tej, thuhet se Nikolla shprehu gjithashtu mirënjohjen për njohjen e Kosovës nga Arabia Saudite si dhe për mbështetjen e dhënë gjatë kërkesave për mbështetje për anëtarësim të Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, dhe "shprehu bindjen në vazhdimin e lobimit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam dhe në Ligën Arabe, me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës".

Ndër të tjera, theksohet se kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe ministri saudit biseduan edhe mbi bashkëpunimin e të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın