BALLKANI

Ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë vizitë në Shqipëri

Ministri Skrekas është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Fatjon Cuka   | 13.05.2022
Ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë vizitë në Shqipëri

Tiranë

Ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Kostas Skrekas, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me takimin me ministrin grek, Rama ka shkruar në rrjetet sociale se kanë diskutuar gjerësisht për planet shumë konkrete të bashkëpunimit në sektorin energjetik dhe rritjen e sigurisë energjetike të dy vendeve, sipas tij "përmes një harmonizimi të burimeve tona në këtë drejtim, duke përfituar reciprokisht nga njëri-tjetri".

Ndërkohë, pas takimit, Balluku dhe Skrekas mbajtën një deklaratë të përbashkët online, duke u fokusuar në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, dhe aspekte të tjera të sektorit energjetik.

Balluku tha se siguria energjetike është nga elementët më të rëndësishëm dhe sidomos sa i përket bashkëpunimit rajonal ajo tha se është në krye të listës.

"Kemi diskutuar projekte konkrete. Një nga çështjet më të rëndësishme që kemi diskutuar ka qenë linja e re e interkonjeksionit midis dy vendeve tona. Kemi diskutuar sa i përket edhe mundësive të investimeve që pala greke mund të bëjë në territorin shqiptar sa u përket burimeve të reja energjetike”, tha Balluku

Ajo theksoi se bashkëpunimi rajonal është mjaft i rëndësishëm, duke shtuar se pala shqiptare është e gatshme për bashkëpunim.

Ministri Skrekas theksoi se një bashkëpunim i ngushtë do të jetë sipas tij gjithmonë i frytshëm dhe do të sjellë rezultate sa më të mira për dy vendet.

"Jemi këtu në Shqipëri në një periudhë shumë kritike. Fatkeqësisht, sulmi i papritur i Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar mijëra të vdekur dhe ka krijuar madje pasoja shumë të rënda në sektorin energjetik të Evropës. Ne madje shohim një krizë energjetike që ka goditur të gjithë Evropën, edhe Greqinë edhe Shqipërinë", tha Skrekas.

Skrekas theksoi se vizita e tij është e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit në sektorin energjetik mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın