Ministrat Mucunski dhe Murtezani në takim me kryediplomaten e BE-së në Bruksel
"Mucunski dhe Murtezani konfirmuan angazhimin e tyre ndaj reformave, axhendës evropiane dhe avancimit të bashkëpunimit me BE-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes", thuhet në njoftim
Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, së bashku me ministrin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, u takuan sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe së Tregtisë së Jashtme, takimi u zhvillua në kuadër të vizitës të punës të ministrave në Bruksel. Ministria tha se takimet zhvillohen në kontekstin e angazhimit të vazhdueshëm të vendit ndaj procesit të integrimit evropian dhe përpjekjeve të përbashkëta për të thelluar partneritetin me BE-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
"Mucunski dhe Murtezani konfirmuan angazhimin e tyre ndaj reformave, axhendës evropiane dhe avancimit të bashkëpunimit me BE-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ata riafirmuan përputhshmërinë e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, mbështetjen për Ukrainën dhe rëndësinë e ndërlidhjes rajonale dhe projekteve strategjike të infrastrukturës, përfshirë Korridorin 8", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ministrat dërguan mesazh rreth rëndësisë së një perspektive evropiane të parashikueshme, të drejtë dhe të prekshme për të gjithë rajonin, duke theksuar se dinamika e përshpejtuar dhe e drejtë e procesit do të kontribuojë në forcimin e besueshmërisë së zgjerimit, qëndrueshmërisë demokratike dhe sigurisë së rajonit dhe Evropës.
