BALLKANI

Meta: Parandalimi i pasojave të pandemisë kërkon ekspertizë dhe bashkëpunim

Sipas presidentit të Shqipërisë, përballimi dhe parandalimi i pasojave të pandemisë kërkon ekspertizë dhe bashkëpunim dhe sipas tij “jo rregulla arbitrare që ndryshojnë në mënyrë kontradiktore vazhdimisht për të njëjtat çështje”

Fatjon Cuka  | 19.10.2020 - Përdıtësım : 20.10.2020
Meta: Parandalimi i pasojave të pandemisë  kërkon ekspertizë dhe bashkëpunim ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka kundërshtuar vendosjen e gjobave për qytetarët të cilët nuk mbajnë maskë dhe përfshirjen e gjobave në faturat e energjisë elektrike, si dhe ka theksuar se përballimi dhe parandalimi i pasojave të pandemisë kërkon ekspertizë dhe bashkëpunim, raporton Anadolu Agency(AA).

Në një konferencë për mediat, që kishte në fokus aktin normativ të Qeverisë së Shqipërisë për mbajtjen e maskave në ambientet jashtë shtëpisë dhe vendosjen e gjobave në rast të shkeljes së tij, Meta tha se OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike) nuk mund të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për mos mbajtjen e maskës.

"Çdo lloj mase që merret për arsye shëndetësore e certifikuar nga ekspertët është e mirëpritur për të garantuar parandalimin e përhapjes së COVID-19, por përmbajtja e aktit që gjobit qytetarët për mos mbajtjen e maskave është një maskaradë, sepse shkel në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, sepse mund t’i lënë pa drita në fund të muajit, në mes të dimrit, sepse i shantazhon deri në humbjen e lirisë", tha Meta.

Meta iu ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë sa më të kujdesshëm dhe të respektojnë të gjitha rregullat që komunikojnë autoritete e shëndetit publik.

"Jam kundër atyre që bëjnë thirrje që mos të mbahen maskat, përkundrazi të gjithë t’i mbajnë kush ka mundësi sa më shumë. Ndërkohë qeveria duhet të kishte marrë dhe të marrë masa për të mbështetur me maska edhe qytetarët që nuk kanë mundësi", tha Meta.

"I bëj thirrje qeverisë të reflektojë menjëherë dhe i bëj thirrje Kuvendit ta shqyrtojë sa më parë këtë akt normativ dhe ta ndryshojë atë. Barrierat mbrojtëse, maskat, distancimin fizik, duhet t’i respektojmë të gjithë për të mbrojtur veten, të afërmit dhe njerëzit tanë e për të mposhtur sa më shpet këtë pandemi të rrezikshme", u shpreh presidenti Meta.

Sipas presidentit të Shqipërisë, përballimi dhe parandalimi i pasojave të pandemisë kërkon ekspertizë dhe bashkëpunim dhe sipas tij “jo rregulla arbitrare që ndryshojnë në mënyrë kontradiktore vazhdimisht për të njëjtat çështje, jo ndëshkime të paligjshme dhe të paqarta”.

Kujtojmë se më 15 tetor filloi zbatimin akti normativ i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë që përcakton se barriera mbrojtëse (maska) është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë, i cili parashikon edhe vendosjen e gjobave në rast moszbatimi.

Sipas aktit normativ, ekzekutimi i masës administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke u bërë gjoba pjesë e faturave të energjisë elektrike.

Punonjësit e Policisë së Shqipërisë kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri(COVID-19), duke vendosur edhe gjoba për qytetarët që nuk vendosin maskat, gjoba që janë rreth 24 euro dhe në rast se përsëritet shkelja e masës rreth 40 euro.

Zbatimi i masës së re vjen pas vazhdimit të rritjes së rasteve me COVID-19, ku sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 17.055 raste pozitive me koronavirus, mes tyre 451 persona kanë ndërruar jetë dhe 10.071 janë shëruar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın