Fatjon Cuka
23 Nëntor 2021•Përditësim: 23 Nëntor 2021
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, kanë reaguar për aksidentin në Bullgari të autobusit nga Maqedonia e Veriut, ku si pasojë humbën jetën dhjetëra persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Meta në rrjetet sociale shkruan se është hidhërim i madh dhe trishtim i thellë për humbjen aksidentale tragjike të jetës të bashkëkombësve nga Maqedonia e Veriut.
"Në këto çaste të rënda i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe autoriteteve të vendit fqinj, si dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit", shkruan Meta.
Për aksidentin e rëndë ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ku në rrjetet sociale ajo shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave.
"Dhimbje e thellë për tragjedinë e aksidentit të udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut në Bullgari. Ju jemi pranë në këto momente tejet të vështira", shkruan Nikolla.
Gjithashtu ka reaguar në rrjetet sociale edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Basha, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave. "I shokuar nga tragjedia e tmerrshme në Bullgari që shkaktoi humbjen e kaq shumë jetëve të pasagjerëve, përfshirë shumë bashkëkombës tanë e mes tyre shumë të mitur", thekson Basha.
Sipas informacioneve të fundit, 46 persona, shtetas të Maqedonisë së Veriut, përfshirë 12 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit që ka përfshirë autobusin e aksidentuar në rajonin e fshatit Bosnek në afërsi të qytetit Pernik në perëndim të Sofjes.
Bëhet e ditur se autobusi dje është nisur nga Stambolli dhe rreth orës 21:00 ka hyrë në Bullgari.