BALLKANI

Meta: Mbështetja ndaj NATO-s ka qenë dhe është unanime

Presidenti Meta në fjalën përshëndetëse tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s ndihet shumë e vlerësuar për faktin se i është besuar kjo përgjegjësi madhore e vendit pritës të stërvitjes "Defender Europe 21"

Fatjon Cuka   | 04.05.2021
Meta: Mbështetja ndaj NATO-s ka qenë dhe është unanime Foto: Presidenca e Shqipërisë/AA

Durrës

Në kuadër të stërvitjes shumëkombëshe "Defender Europe 21", në ambientet e Portit të Durrësit është mbajtur aktiviteti "Dita e Vizitorëve të Shquar" me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e ceremonisë për nisjen e stërvitjes në Portin e Durrësit ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përfaqësues të ushtrisë amerikane, drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe ambasadorë.

Presidenti Meta: Mbështetja ndaj NATO-s ka qenë dhe është unanime

Presidenti Meta në fjalën përshëndetëse tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s ndihet shumë e vlerësuar për faktin se i është besuar kjo përgjegjësi madhore e vendit pritës të stërvitjes.

"NATO është aleanca më e madhe e lirisë në botë dhe besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj saj ka qenë dhe është unanime ashtu sikur është dhe vokacioni dhe përkatësia jonë evropiane. Synimi dhe objektivat që NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet aleate dhe partnere kanë vendosur për këtë stërvitje, i japin një mundësi të shkëlqyer forcave tona të armatosura për të testuar aftësitë operacionale", u shpreh Meta.

Kryeministri Rama e cilësoi stërvitjen si një moment historik. "Kam bindjen se kjo stërvitje është shumë me tepër sesa një moment i rëndësishëm i të gjithë punës së përbashkët në funksion të rritjes dhe demonstrimit të kapaciteteve tona. Besoj se kjo stërvitje është edhe një tjetër pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë", u shpreh Rama.

"Është vërtetë një moment historik për ne të gjithë. Është një moment që na mbush me krenari, por edhe me përgjegjësi. Dëshirojmë të jemi gjithmonë e më të denjë dhe gjithmonë e më të vyer brenda kësaj aleance", tha ndër të tjera kryeministri i Shqipërisë.

"Qëllimi është që të demonstrojmë aftësitë tona kolektive"

Ministri Peleshi tha se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë si pjesë integrale e stërvitjes kanë sipas tij një mundësi të artë për të rikonfirmuar se janë në lartësinë e duhur.

"Kemi fatin e mirë të jemi pjesë e stërvitjes më të madhe të zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë dhe rajon. Kemi gjithashtu përgjegjësinë që Shqipëria dhe kapacitet e saj të mbrojtjes janë në lartësinë e kërkuar nga aleatët", tha Peleshi.

Tod Wolters, komandat i komandës së SHBA-së në Evropë, tha se "jemi më të fortë të gjithë së bashku". "Qëllimi është që të demonstrojmë aftësitë tona kolektive për të kryer operacione të njëkohshme nëpër këto 12 vende. Nëpërmjet ‘Defender Europe 21’ ne do të bëjmë atë që quhet një stërvitje e një force të përbashkët nga forca shumëkombëshe", tha Wolters.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Bajram Begaj, tha se "Defender Europe 21" është stërvitje e natyrës mbrojtëse dhe me mesazhe të fokusuara në reagimin e nevojshëm në rast krize apo konflikti.

Stërvitja shumëkombëshe "Defender Europe 21"

Sipas autoriteteve shqiptare, 28.000 trupa shumëkombëshe do të kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, në 12 vende.

Sipas autoriteteve shqiptare, në stërvitje do të marrin pjesë trupa nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të përfaqësohen në stërvitjen që ka filluar disa ditë më parë dhe që zgjat disa javë me rreth 1.000 trupa.

Në stërvitjen e përbashkët shumëkombëshe do të angazhohen trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, anije, avionë, helikopterë, sisteme raketash patriot dhe automjete joluftarake.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın