BALLKANI

Merkel: I përmbahemi perspektivës së Ballkanit Perëndimor në BE

Merkel gjatë deklaratës me kryeministrin Rama ka theksuar se sa i përket Qeverisë federale gjermane, i përmbahen qartësisht perspektivës së Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE

Fatjon Cuka  | 27.01.2020 - Përdıtësım : 28.01.2020
Merkel: I përmbahemi perspektivës së Ballkanit Perëndimor në BE Foto: AA/Arhiv

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar në Berlin me kancealren gjermane, Angela Merkel, ndërsa në deklaratën për mediat u fokusuan në çështjet e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Merkel ka theksuar se sa i përket Qeverisë federale gjermane, i përmbahen qartësisht perspektivës së Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

“Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE-në dhe para se gjithash duam që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në mars të arrijmë një dakordësi për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë suksese të konsiderueshme dhe këto janë regjistruar nga Këshilli Evropian dhe ne do të punojmë fort që në mars të arrijmë rezultate”, është shprehur Merkel.

Duke iu referuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ajo tha se beson që e ardhmja e dy vendeve është në BE, ku shtoi se “Kjo është dhe në interesin tonë”.

Kryeministri Rama ka deklaruar se ka vizituar Berlinin për të diskutuar në radhë të parë për konferencën e donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka, sipas tij, për të gjetur mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e vështirë të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Po ashtu, më vjen shumë mirë që mund të diskutojmë edhe për perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal ku roli i Gjermanisë dhe roli juaj personalisht ka qenë i jashtëzakonshëm në hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi me Procesin e Berlinit, që ka nevojë për t’u çuar më tutje”, ka theksuar Rama.

Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın