BALLKANI

Mbërrin në Shqipëri anija ushtarake turke

Anija turke TCG Bayraktar(L-402) do të qëndrojë në Durrës deri më datë 18 korrik, ndërsa pritet të vizitohet nga zyrtarë të ndryshëm të institucioneve qendrore dhe lokale

Fatjon Cuka  | 16.07.2019 - Përdıtësım : 16.07.2019
Mbërrin në Shqipëri anija ushtarake turke ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Durrës

Në Shqipëri ka mbërritur anija ushtarake turke e cila do të qëndrojë disa ditë në Portin e Durrësit, raporton Anadolu Agency (AA).

Anija TCG Bayraktar (L-402) ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Durrës, ndërsa ekuipazhi i saj është pritur nga atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë në Shqipëri, kolonel Şakir Cumhur Somer, ushtarakë shqiptarë dhe zyrtarë të Forcave Detare të Shqipërisë. 

Anija turke do të qëndrojë në Durrës deri më datë 18 korrik, ndërsa pritet të vizitohet nga zyrtarë të ndryshëm të institucioneve qendrore dhe lokale, si nga përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të Bashkisë së Durrësit, Prefekturës së Durrësit dhe institucioneve të tjera.

Ekuipazhi i anijes TCG Bayraktar, e cila ka një gjatësi rreth 139 metra, është rreth 400 persona përfshirë edhe studentë të Akademisë Detare Turke nga disa vende.

Një nga qëllimet e ardhjes së anijes përveç edhe rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, është që t'u jepet mundësia studentëve të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përmes vizitave në port në lidhje me lundrimin, manovrimin taktik dhe shuarjen e zjarrëve.

Akademia Detare Turke ka kryer një sërë stërvitjesh verore me qëllim që studentët të mësohen me anijen dhe të njihen nga afër me kushtet e lundrimit.

Me rastin e mbërritjes së anijes, në mbrëmje do të organizohet një pritje me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke, të institucioneve të Shqipërisë, ushtarakëve shqiptarë dhe turq dhe personaliteteve të ndryshme.

Anija ushtarake turke ka ardhur me ekuipazhin e saj nga Turqia, ndërsa pas përfundimit të vizitës në Durrës do të vazhdojë vizitën në Itali.

Kujtojmë se në vitet e fundit Portin e Durrësit e kanë vizituar disa herë nëndetëset dhe anijet turke, në kuadër edhe të zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ushtarak midis Turqisë dhe Shqipërisë.







Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.