BALLKANI

Mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë do të mbahet në fund të nëntorit

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Qeverisë së Shqipërisë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se në mbledhjen e sotme në fokus të veçantë ishte edhe mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë

Fatjon Cuka   | 20.10.2021
Mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë do të mbahet në fund të nëntorit

Tiranë

Mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës do të mbahet në javën e fundit të nëntorit të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Qeverisë së Shqipërisë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se në mbledhjen e sotme në fokus të veçantë ishte edhe mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë.

"Do të jetë mbledhja e 7-të e përbashkët mes dy qeverive gjatë të cilës do të bëhet një rikalim i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri tani, përgjatë gjithë cikleve të mbledhjeve ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Bëhet fjalë për 86 marrëveshje të lidhura përgjatë gjithë kësaj periudhe. Sigurisht që vullneti për të çuar përpara këtë proces është shprehur edhe gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Rama në Kosovë", theksoi ministrja Xhaçka.

Ajo shtoi se është rënë dakord që takimi mes dy qeverive të zhvillohet në qytetin e Durrësit dhe prej ditësh po punohet përmes një kontributi të përbashkët mes dy vendeve për realizimin dhe konkretizimin e marrëveshjeve të tjera.

"Në fokus të diskutimeve në mbledhjen e sotme ka qenë edhe skanimi i të gjitha këtyre marrëveshjeve të lidhura deri më tani. Qëllimi është që të çojmë përpara këtë proces duke i dhënë një shtysë të re të gjitha atyre marrëveshjeve, të cilat për arsye të ndryshme objektive ose jo, nuk janë zbatuar, ashtu siç do duhet të kishte qenë", u shpreh Xhaçka.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın